Maqedoni
Ohër, rreth 30 vila në fshatin Tërpejca duhet të prishen
19.12.2020 16:19
Për rreth 30 vila fundjave në një ndër vendet më tërheqëse të bregut të Liqenit të Ohrit, në fshatin Tërpejcë...

Për rreth 30 vila fundjave në një ndër vendet më tërheqëse të bregut të Liqenit të Ohrit, në fshatin Tërpejcë, është dhënë mendim që të prishen. Ato janë ndërtime të paligjshme në brezin e mbrojtur rreptësisht deri në 50 metra në bregun e liqenit dhe nuk mund të legalizohen.
Këto zona kanë një ndikim negativ në ruajtjen e statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ndërsa në Parkun Nacional Galiçic, 470 ndërtime pa leje të cilët janë ndërtuar në 18 vendbanime brenda parkut, janë duke pritur legalizim.
“Ne kemi dorëzuar një listë shtesë të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme që ne besojmë se duhet të jenë një përparësi në aksionin tjetër të prishjes, sepse ato ndikojnë fuqimisht në mbarëvajtjen e proceseve natyrore në parkun nacional Galiçica", u shpreh Andon Bojaxhi nga Parku Nacional Galiçica.
Shumë pjesë të bukura natyrore që konsiderohen si thesar universal, janë uzurpuar. Rojet e parkut, prej tetorit e deri më sot kanë hasur tre ndërtesa të paligjshme në tokë shtetërore përreth Tërpejcës.
“Kishte një qetësi, aktivitetet e ndërtimit filluan nga tetori e më tej dhe deri më tani kemi tre prej tyre. Ka shumë ndërtesa të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe shteti në një farë mënyre duhet të merret me to”, theksoi Bojaxhi.
Për dekada, banorët kanë ndërtuar vila fundjave në bregun e liqenit. Në vitet shtatëdhjetë, qeveria e atëhershme shkatërroi ndërtesat e paligjshme në Tërpejc, vite më vonë, banorët i rindërtuan ato dhe në vitin 2000 përsëri kishte shkatërrime masive të tyre. Tani ka rreth tridhjetë ndërtesa të ndërtuara në mënyrë të paligjshme që duhet të hiqen.
ILMIJE ZHAKU
