Maqedoni

Projekti “Nansen”, investime në dy shkolla në Gostivar

13.11.2014 17:45

Në dy shkolla të Gostivarit, në Shkollën e Mesme Teknike Komunale “Gostivari” dhe në Shkollë Fillore “Goce Dellçev”...

Në dy shkolla të Gostivarit, në Shkollën e Mesme Teknike Komunale “Gostivari” dhe në Shkollë Fillore “Goce Dellçev”, në kuadër të projektit të realizuar nga Qendra  për Dialog “Nansen”, me seli në Shkup, janë inauguruar dy kabinete të cilat janë meremetuar, pajisur dhe përshtatur me mjete të siguruara nga Ambasada e Norvegjisë.
 
 I pranishëm në vënien në funksion të kabineteve ishte edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ministri pa resor, Furkan Çako, drejtori i Grupit “Nansen”, Sasho Stokoski, si dhe mësimdhënësit dhe nxënësit e të dyja shkollave.
 
“Janë këto dy komponenta shumë të rëndësishme për arsimin, e para për të ndërtuar një mirëbesim mes bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, nëpërmjet aktiviteteve jashtë arsimore për nxënësit e bashkësive etnike, me qëllim të promovimit të bashkëjetesës dhe mirëbesimit”- deklaroi ministri Ademi.
 
Kryetari Bejta, vlerësoi lartë investimet dhe vetë projektin, i cili synon modelin e quajtur “Nansen”, që i dedikohet mësimit të integruar, me ç’rast edhe ministrin e Arsimit për angazhimin e tij, por edhe Qendrën për Dialog “Nansen”.
 
Nga ky bashkëpunim, në Shkollën e Mesme Teknike Komunale është vënë në funksion kabineti për ndjekjen e lëndëve profesionale, nga lëndët e elektronikës dhe telekomunikacionit, kurse në Shkollën Fillore “Goce Dellçev” kabineti për arsim të integruar.
 
LULZIM HAZIRI