Maqedoni

Covid 19: 20 viktima, 815 raste të reja, 396 të shëruar; Filipçe: Të mos festohet tradicinalisht me grupime

19.12.2020 20:27

Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit nga 2664 testime të bëra ka regjistruar 815 raste të reja të të infektuarve...

Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit nga 2664  testime të bëra ka regjistruar 815 raste të reja të të infektuarve, kanë humbur jetën 20  persona,  ndërsa  janë shëruar  396  pacientë. Me numrin më të madh të të infektuarve kryeson Shkupi me 329 raste i pasuar nga  Manastiri me 52 raste,Tetova me 51 , Prilepi 46, Kumanova 37, Gostivari 36, Struga dhe Ohri me 28 dhe qytetet e tjera me numër më të ulët të të infektuarve.
 
Betejën me covid 19 e kanë humbur 20 pacientë, prej të cilëve tetë pacientë nga Shkupi, nga dy nga Prilepi, Velesi dhe Gostivari dhe nga një pacient në  Shtip, Strugë, Manastir, Kavadar, Strumicë dhe Berovë.
 
Ndërkohë nga ISHP thonë se përmirësimi i situatës pas gjysmës së dytë të dhjetorit ishte i pritshëm, por shtojnë se festat e fund vitit mund të jenë rrezik potencial për një valë të tretë në janar dhe shkurt. Për këtë arsye janë rekomanduar edhe masat për mos grupime, mbyllja e gastronomive dhe kufizimi i lëvizjeve të panevojshme. Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe fton sërish për respektim të masave me qëllim tejkalimin e fazës kritike.
 
“Bëj thirrje që këtë festë ta festojmë jo siç dijmë ta festojmë tradicionalisht me grupime. Të qëndrojmë të gjithë në shtëpi, të ndihmojmë në mos grupimin që të tejkalohet edhe kjo krizë. Besoj se masat e reja do të japin rezultate edhe më të mira. Po ulet numri i pacientëve të cilët pranohen në spitale dhe besoj se qytetarët me vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre do të ndihmojnë seriozisht të punësuarit shëndetësor”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe.
 
Në 24 orët e fundit në klinikat e Shkupit janë shtruar 36 pacientë, ndërsa aktualisht po trajtohen 470 pacientë me Kovid-19. Në nivel shtetëror numri i personave të hospitalizuar arrijnë në 1.238, ndërsa në dispozicion ka 270 shtretër të lirë.  Ndërkohë ,numri i përgjithsëm i të diagnostifikuarve nga fillimi i pandemisë shënon 77.949  prej tyre  janë shëruar 53345 kanë humbur jetën 2274   dhe numri i rasteve aktive shënon 22330.
 
FLUTURA LATIFI