Maqedoni
DAP-i dhe policia, aksion në Gostivar
13.11.2014 18:00
Kanë vazhduar edhe mbrëmë aksionet e Drejtorisë së të Hyrave Publike të shoqëruara nga policia...

Kanë vazhduar edhe mbrëmë aksionet e Drejtorisë së të Hyrave Publike të shoqëruara nga policia, për kontrollimin e respektimit të Ligjit Anti-duhan dhe Dhënies së Faturave Fiskale. Bogovina, Kamjani, Çellopeku, Gradeci dhe disa vendbanime të tjera rurale të Gostivarit ishin mbrëmë pikat e inspektorëve dhe forcave speciale të MPB-së.
Aksionet bëhen për të parë sa respektohen ligjet dhe prania e policisë ka qenë dhe do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen në të gjitha vendbanimet, pa marrë parasysh nëse në to jetojnë shqiptarë apo maqedonas, deklaroi mbrëmë për TVM 2 ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Ky aksion nuk ka të bëjë vetëm me vendbanimet shqiptare, por është ndërmarrë në të gjithë territorin e RM-së, përfshirë qytetin e Manastirit, Velesit, Vinicës, por edhe në qytetet ku jetojnë banorët shqiptarë. Qëndrimi qeveritar është se edhe kësaj radhe, por edhe në të ardhmen ata duhet të zhvillojnë kontrolle konform ligjit, nëse në qytetin e Shkupit do të ketë forca policore apo njësi speciale në numër më të madh, do të duhet po i njëjti ekip të shkojë edhe në qytetet e tjera, pa marrë parasysh nëse jetojnë apo jo shqiptarë aty”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Neziri është i vetëdijshëm se aksionet e tilla, të shoqëruara me numër kaq të madh policësh, dëmtojnë biznesin dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë dy partnerët e koalicionit, VMRO-DPMNE dhe BDI, janë dakorduar që në të ardhmen të kihet kujdes me pjesëmarrjen e forcave policore.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
