KShZ: Sasho Nikollov, zyrtarisht kryetar i Shtipit
Sasho Nikollov nga LSDM, zyrtarisht u zgjodh kryetar i Shtipit...

Sasho Nikollov nga LSDM, zyrtarisht u zgjodh kryetar i Shtipit, pasi në zgjedhjet e 13 dhjetorit sipas rezultateve përfundimtare të KShZ-së ai mori 11 477 vota. Sipas KSHZ-së, i dyti në këto zgjedhje u radhit kandidati i partisë “Integra”, Simon Polikarp, me 1 179 vota, derisa i treti në garë ishte Goce Angellov nga Koalicioni “Ardhmëria” në duart tona me 267 vota.
“Sipas rezultatit të zgjedhjeve të 13 dhjetorit 2020, në komunën e Shtipit në 80 vendvotime për kryetar të komunës së Shtipit është zgjedhur kandidati me numrin dy në fletëvotim i LSDM-së, Sashko Nikollov, me gjithsej 11 mijë e 477 vota.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Më 13 dhjetor u votua edhe në komunën e Pllasnicës, ku sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KSHZ të enjten për kryetar u zgjodh kandidati i BDI-së, Alia Jaoski, me 1 696 vota të fituara.
Këto zgjedhje u bojkotuan nga partitë opozitare, VMRO-DPMNE dhe koalicioni ASH-Alternativa. (Naim Ramadani, TVM2)
