Covid-19, BE kërkon një autorizim emergjent për vaksinat

20.12.2020 15:33

Bashkimi Europian është gjendur në presion të vazhdueshëm....

Bashkimi Europian është gjendur në presion të vazhdueshëm për vonesën e miratimit të vaksinës anti kovid pasi disa vende të botës kanë nisur shpërndarjen prej më shumë se një javë.

Agjencia Europiane e Barnave vendosi t’i miratojë më 21 dhjetor vaksinat, e BioNTech dhe Pfizer në vend të 29 dhjetorit siç ishte paralajmëruar fillimisht. Ndërsa për vaksinën e prodhuesit amerikan Moderna pritet vendim më 6 janar në vend të 12 janarit.

Ndërkohë OBSH ka ftuar europianët që të mbajnë distancën sociale dhe të kufizojnë kontaktet shoqërore gjatë sezonit të ardhshëm të festave. Kreu i zyrës europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, vuri në dukje se pandemia ka shkaktuar më shumë se 500 000 vdekje të lidhura me virusin dhe 23 milionë infeksione në rajon. 

Një nga vendet më të prekura nga virusi korona është Franca, e cila që nga fillimi i pandemisë, ka regjistruar më shumë se 60,000 vdekje nga COVID-19 duke e shndërruar kështu 2020-ën në vitin më vdekjeprurës të vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë në Britani ka nisur të përhapet një variant i ri virusit korona. Ekspertët britanikë të shëndetit thonë se janë zbuluar disa raste infektimesh më këtë lloj të virusit dhe kjo ka ngjallur shqetësimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që po qëndron në kontakt me autoritetet britanike. Kryeministri, Boris Johnson, bëri të ditur se një e treta e vendit do të jetë nën kufizimet e fazës së katërt pasi varianti i ri mund të rrisë vlerën R të vendit.                                                                                         

Ne duhet të veprojmë tani. Nuk mund të vazhdojmë me Krishtlindjen siç ishte planifikuar. Unë e di se sa emocione investojnë njerëzit në këtë periudhë të vitit dhe sa e rëndësishme është për gjyshërit të shohin nipërit e mbesat e tyre dhe familjet të jenë së bashku, por ne duhet të drejtohemi nga shkenca. Në këtë moment nuk kemi asnjë alternativë tjetër.”,- tha kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.

Mediat britanike shkruajnë se nga çfarë është kuptuar deri më tani, nuk ka asnjë evidencë që ky variant i koronavirusit të jetë më vdekjeprurës se COVID-19, por është 70% më shumë ngjitës. 

Qeveria holandeze bllokoi të gjitha hyrjet nga Britania e Madhe për një periudhë të pacaktuar, deri në hedhjen dritë mbi misterin e këtij varianti të virusit.

Ndërkohë në Izrael ka nisur vaksinimi masiv kundër virusit korona, me vaksinat anti-COVID-19 të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech. 

Vendi i parë në rajon ku do të mbërrijnë dozat e para të vaksinës këtë të hënë, do të jetë Serbia. Ndërsa në Greqi më 21 dhjetor.

Pavarësisht paralajmërimeve se do të vendosen masa të reja kufizuese për kalimin e kufirit, një numër i madh mërgimtarësh janë nisur drejt vendeve të rajonit duke krijuar radhë të gjata me vetura si në kufijtë ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, po ashtu edhe ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, apo edhe Serbisë dhe Kosovës, ku pritet për orë të tëra për ta kaluar kufirin. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)