Kovid-19, në RMV rreth 22 mijë raste aktive
Numri i Kovid pacientë në trajtim spitalor....

Numri i Kovid pacientë në trajtim spitalor ka filluar të zvogëlohet, por numri i rasteve aktive vazhdon të mbetet rreth 22 mijë persona.
Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit në qendrat-Kovid në Shkup janë shtrirë 31 pacientë të rinj.
Në repartet infektive në kryeqytet aktualisht po trajtohen 479 persona, ndërsa gjatë ditës do të lirohen nga trajtimi spitalor disa pacientë, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet e vendit gjithsej mjekohen 1238 pacientë me COVID–19, prej të cilëve 470 në Shkup dhe 768 në qytetet tjera.
Nga Instituti për Mjekësi Transfuziologjike informojnë se janë siguruar gjithsej 502 njësi plazmë rikuperuese për trajtim të pacientëve të infektuar me Kovid-19, prej të cilëve 399 njësi janë siguruar përmes dhurimit standard dhe 103 njësi plazmë rikuperuese, përmes procedurës së aferezës nga gjithsej 48 dhurues. Gjithsej 449 dhurues kanë dhuruar plazmë, me të cilën janë trajtuar mbi 400 pacientë me Kovid-19.
Në vend aktualisht ka mbi 22 mijë persona të prekur nga Kovid-19, por autoritetet shëndetësore vlerësojnë se javën e fundit ka filluar zbutje e gjendjes dhe ditët në vijim pritet ulje e numrit të personave të infektuar. Por autoritetet vazhdojnë të apelojnë për respektimin e masave dhe shmangien e grumbullimeve sidomos gjatë festave të fundvitit, për të shmangur ndonjë vale të re të virusit korona.
Inspektorët e Tregtar mbrëmjen e së shtunës kanë intervenuar në qendrën tregtare “City Mall”, pasi ishte denoncuar se një bend po argëton qytetarët brenda objektit.
Duke pasur parasysh se restorantet dhe kafenetë janë mbyllur pas orës 18:00, “City Mall” për të tërhequr vizitorë, ka organizuar një bend të këndojë drejt për drejt, e aty ishte tubuar një masë e madhe njerëzish. Në momentin kur ka arritur inspeksioni, argëtimi vetëm se kishte përfunduar mirëpo Inspektorati pasi ka kontaktuar me drejtuesit e qendrës tregtare ka paralajmëruar se do ta mbyllin gjithë qendrën tregtare nëse përsëritet një gjë e tillë.
Ndërkohë MPB ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 670 gjoba, ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masën për mbajtjen e maskës. (Gyltene Sinani, TVM2)
