Zaev në Prespë: 1.3 milion euro për rivitalizimin e liqenit

20.12.2020 17:20

Qeveria e vendit ka ndarë 80 milion denarë....

Qeveria e vendit ka ndarë 80 milion denarë, apo 1.3 milion euro për rivitalizimin e liqenit të Prespës, tha kryeministri, Zoran Zaev, gjatë një vizite që i bëri liqenit, në mënyrë që të specifikojë zbatimin e rekomandimeve dhe planit të veprimit të propozuar nga ekspertët për menaxhimin e qëndrueshëm të liqenit.

Zaev potencoi se rekomandimet nga studimi dhe plani i veprimit do të organizohen në tri faza. 

Në fazën e parë përfshihet analiza, studimi, rekomandimi dhe takimet e palëve të interesuara, kurse për dy fazat e ardhshme, iniciativa e fqinjëve do të jetë thelbësore dhe në atë drejtim ata do të kërkojnë që të tria vendet t’i japin një impuls të ri projektit për mbrojtjen e plotë të liqenit të Prespës, projekt ky i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian.

“Në drejtim të masave afatshkurtra, Qeveria ka përgatitur një vendim ku komunës së Resnjës do t’i ndahet një fond prej 80 milion denarë, të cilat dedikohen për pastrimin e liqenit ku tërhiqet uji, posaçërisht në disa pjesë të plazheve. Pastrimi i liqenit nga mbeturinat do të bëhet me anije speciale të pajisura për atë qëllim, të cilat nuk do të dëmtojnë biodiversitetin. Në fazën e dytë parashikohen masa për të përmirësuar aktivitetet për ndërtimin e impianteve moderne të trajtimit të ujërave të ndotura që derdhen në liqenin e Prespës.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas kryeministrit Zaev, liqeni një kohë të gjatë është në gjendje të keqe me mospasjen e mjaftueshme të ujit si pasojë e ndryshimeve klimatike. Nga autoritetet lokale vlerësohet se në liqenin e Prespës situata është alarmante për botën e gjallë në ujë.

Gjatë vizitës së tij në Prespë, Zaev po ashtu deklaroi se Qeveria ka ndarë edhe 30 milion denarë të tjera për Qendrën për Përkujdesje dhe Promovim të Gjuhës Maqedonase në shkollën e vjetër "Dimitar Valhov" në Ljubonjë, shkollë e dytë në gjuhën maqedonase në vend, e cila është hapur më 15 nëntor 1944. (Fitim Kryeziu, TVM2)