Maqedoni
MPB: manipulime gjatë përzgjedhjes së këngës për “Evrovizion 2015”
13.11.2014 18:15
Daniel Kajmakovski fitoi mbrëmë kupën e festivalit të madh të Televizionit të Maqedonisë, “Skopski fest”...

Daniel Kajmakovski fitoi mbrëmë kupën e festivalit të madh të Televizionit të Maqedonisë, “Skopski fest”, duke fituar kështu të drejtën për të përfaqësua Maqedoninë në “Festivalin Evropian të Këngës 2015”.
Sivjet votimi u bë me një mënyrë të re, një kombinim i votave të publikut dhe votave të Jurisë Profesionale Ndërkombëtare. Juritë ishin nga Austria, Azerbajxhani, Bullgaria Rumania, Turqia, Holanda dhe Kroacia.
Kjo, sipas organizatorëve, u bë për të hequr çdo mundësi manipulimi dhe për të dërguar në Vjenë vërtet këngëtarin dhe këngën më të mirë. Kajmakovski mori afro 3600 vota nga televotimi dhe 10 pikë nga juritë ndërkombëtare, që për herë të parë përfshihen në përzgjedhjen e një kënge eurovizive.
Por edhe pse organizatorët u munduan të evitonin parregullsitë, duket se edhe sivjet përzgjedhja e këngës eurovizive nuk i shpëtoi dot skandalit.
MPB-ja akuzoi 4 persona në moshën prej 26 deri në 56 vjet, të cilët dyshohen për manipulime gjatë votimit të mbrëmshëm të festivalit.
“Sipas të dhënave të deritanishme, personat e akuzuar, në mënyrë të organizuar dhe koordinuar kanë vepruar, duke i përgatitur SIM-kartelat dhe aparatet telefonike që gjatë votimit të festivalit të mund të dërgojnë një numër më të madh mesazhesh, që në fund do të ndikojnë në përzgjedhjen e tre vendeve të para në këtë festival”- deklaroi Ivo Kotevski nga MPB.
Njëri prej të akuzuarve është kompozitor, si dhe autor i shumë këngëve, ai gjithashtu është një person i njohur për opinionin.
Gjatë aksionit të kryer nga ana e MPB-së, janë gjetur tek 14 persona shumë aparate celularë, me të cilët mbrëmë është organizuar votimi i rrejshëm në festivalin në fjalë.
MPB-ja paralajmëron padi penale ndaj të gjithë të akuzuarve për këtë vepër.
REXHEP QAMILI
