Botë

Varianti i ri i virusit korona identifikohet edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi

21.12.2020 10:57

Varianti i ri Covid-19, me origjinë nga Anglia juglindore, është identifikuar në Danimarkë, Holandë dhe deri në Australi....

Varianti i ri Covid-19, me origjinë nga Anglia juglindore, është identifikuar në Danimarkë, Holandë dhe deri në Australi.
 
Lajmi u bë i ditur të dielën nga udhëheqësja teknike e Organizatës Botërore të Shëndetit për koronavirusin, Maria Van Kerkhove.
 
“Ky variant është identifikuar në Danimarkë, në Holandë dhe kishte një rast edhe në Australi”, tha ajo për BBC.
 
“Është shqetësuese që virusi po përhapet dhe se ka kaq shumë mutacione. Ne e kuptojmë që nuk shkakton sëmundje më të rëndë nga informacioni paraprak që Mbretëria e Bashkuar ndau me ne, por ende po bëhen studime tek pacientët e shtruar në spital me këtë variant.”, shtoi ekspertja.
 
Sipas Kerkhoves, së më shumë përhapet ky virus, aq më shumë mundësi ka ai për të ndryshuar.
 
“Sa më gjatë që përhapet ky virus, aq më shumë mundësi ka për të ndryshuar. Pra, ne me të vërtetë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi tani për të parandaluar përhapjen," shtoi ajo.
 
Varianti anglez i Covid-it është izoluar paraprakisht  edhe në Itali, në laboratorët e spitalit ushtarak Celio, në Romë. Departamenti Shkencor Celio, i cili po bashkëpunon me Institutin e Lartë të Shëndetit, ka identifikuar gjenomën e virusit te një grua që doli pozitive me variantin e gjetur, në javët e fundit, në Britaninë e Madhe. Partneri i pacientes ishte kthyer në Fiumicino nga Mbretëria e Bashkuar, ditët e fundit.
 
Të dy janë në izolim dhe kanë ndjekur, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes dhe kontaktet e ngushta, të gjitha procedurat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas asaj që doli, pacienti ka një ngarkesë të fortë virale.
 
Ekspertët e Bashkimit Evropian besojnë se vaksinat ekzistuese kundër Covid-it janë gjithashtu efektive për variantin e virusit të identifikuar në Britaninë e Madhe. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i tha transmetuesit publik Zdf se, “sipas të gjitha gjërave që dimë deri më tani, varianti nuk ka ndikim te vaksinat, të cilat mbeten efektive, tha Spahn, duke përmendur bisedimet e ekspertëve me autoritetet evropiane”.
 
Fjalët e Spahn konfirmohen gjithashtu nga Gianni Rezza, Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit, të Ministrisë së Shëndetësisë, në Itali.
 
“Varianti i Sars-CoV2, që aktualisht po qarkullon në Londër dhe Anglinë juglindore, ka mutacione në proteinën sipërfaqësore të virusit, të ashtuquajturën Spike. Edhe pse është hipotezë se këto mutacione mund të rrisin transmetueshmërinë e virusit, ato nuk duket se ndryshojnë as agresionin klinik dhe as përgjigjen e vaksinës“.
 
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, shpjegoi gjatë një interviste në në Rai 3 se varianti i koronavirusit dhe kapaciteti i përhapjes është rreth 70% më shumë. Ai shpjegoi se Italia si masë paraprake ka vendosur të bllokojë fluturimet për në Britaninë e Madhe, “për t’u dhënë mundësinë shkencëtarëve tanë të kuptojnë shkallën e virusit me të cilin përballemi”.