Maqedoni
Aeroporti i Ohrit, kthehen mërgimtarët, rritet numri i udhëtarëve
21.12.2020 13:39
Ka filluar ardhja e mërgimtarëve në Strugë dhe Ohër....

Ka filluar ardhja e mërgimtarëve në Strugë dhe Ohër. Në 10 ditët e kaluara, është rritur numri i udhëtarëve në aeroportin e Ohrit. Me fluturimet nga Bazeli, Dortmundi, Viena dhe Zyrihu, kanë mbërritur deri tani 785 udhëtarë. Nga aeroporti thonë se respektohen të gjitha protokollet mbrojtëse ndaj Covid 19. Përveç maskave dhe mjeteve dezinfektuse, të gjithë udhëtarëve iu kontrollohet temperatura e trupit edhe gjatë ardhjes por edhe kur largohen nga vendi. Kontrolli i temperaturës bëhet përmes dy kamerave termale.
Nga Aeroporti i Ohrit nuk ka fluturime drejt Londrës, jo vetëm nga sot kur nisi ndalesa e udhëtimeve nga Britania e Madhe nga më shumë shtete, por fluturimet nga Londra, janë anuluar që nga fillimi i pandemisë. Fluturimi i parë për në Britani është caktuar aktualisht më 31 maj të vitit të ardhshëm. E nëse do të ketë ndryshime, varet nga gjendja epidemiologjike dhe zhvillimi i virusit. Në valën e parë të pandemisë, në Ohër e Strugë përmes aeroportit të Ohrit u kthyen për pushime shumë mërgimtarë, të cilët u panë si një nga arsyet e para të përhapjes së virusit në këtë rajon që numëron një numër të lartë të infektuarish dhe viktimash nga Covid 19. Ndaj edhe gjatë ardhjes së re të mërgimtarëve për festat e fundvitit, shtohen apelet për kujdes dhe respektim të masave.
ILMIJE ZHAKU
