Kontesti me Bullgarinë, Zaev: S’kemi alternativë për BE-në

21.12.2020 16:18

Vendi nuk ka plan B dhe as aletarnativë...

Vendi nuk ka plan B dhe as aletarnativë që zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian. Kryeministri Zaran Zaev, e cilëson veton bullgare vendim katastrofal dhe paralajmëron periudhë të vështirë sidomos për palën maqedonase, por kjo nuk do të pengojë vendin që vazhdojë reformat dhe të evropianizohet nga brenda.

“S’kemi alternativë për anëtarësim në BE. Ashtu si kryetari Pendarovski ashtu edhe unë mendojmë dhe flasim zëshëm pasi të tilla janë edhe qëndrimet e Qeverisë sonë. Nuk na duhet zgjidhje kapërcyese dhe as zgjidhje alternative për anëtarësimin tonë në BE. RMV meriton, si askush më parë nga vendet kandidate për në BE, që të jetë anëtare e BE-së.” – tha Kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Zaev: Vazhdojmë bisedimet me Sofjen

Bisedimet me Sofjen zyrtare për të hequr veton, do të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, thotë kryeministri Zaev.

Është optimist që zgjidhja mund të arrihet gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, e cila do të mundësojë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Në ndërkohë, do të vazhdojnë reformat për standarte evropiane në vend, sipas planit “Aksion 21”.

“Gjithsesi se pason periudhë serioze hidhërimesh te ne pasi askush nuk shpresonte se Bullgaria mund të na vinte veto. Kjo është  e dhimbshme, tragjike dhe katastrofale. Pasi çështja  është se kush e shkruan sot historinë dhe çfarë historie do të shkruhet. Gjenerata pas 20-30 vjet do të tregojnë se çfarë kanë bërë Zaev dhe Borisov në kohën e tyre. Obligimi ynë është që të hapim perspektiva për qytetarët. Të shkuarën ta shfrytëzojmë për unifikim ndërsa detajet e historisë t’ua lëmë historianëve.” – deklaroi Kryeministri Zaev.

Kreu i qeverisë pret që vendet anëtare të BE-së të ruajnë vlerat evropiane përballë Maqedonisë së Veriut, e cila sipas tij ka zbatuar reformat e nevojshme dhe u shndërrua në model të fqinjësisë së mirë me Marrëveshjen me Greqinë dhe Marrëveshjen me Bullgarinë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)