Dita e arsimit të gjuhës turke, Shentop viziton Shkupin

21.12.2020 17:20

Gjuha është shtëpia e ekzistencës sonë....

Gjuha është shtëpia e ekzistencës sonë. Midis njerëzve që flasin gjuhën e njëjtë nuk ka distancë gjeografike, tha kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Shentop gjatë vizitës së tij në Shkup.

Duke uruar ditën e arsimit në gjuhën turke në RMV, kryeparlamentari Shentop, tha se historia e përbashkët e popujve të vendeve është vlerë që duhet ruajtur, andaj apeloi që të ruhet edhe trashëgimia kulturore dhe gjuhësore turke.

“Gjuha është shtëpia jonë dhe nuk është mirë të mbetemi pa shtëpinë tonë. Me Maqedoninë e Veriut kemi raporte të shkëlqyeshme dhe është shtet që ka rëndësi të madhe për ne në Ballkan. Afërsia jonë kulturore ka vend për zgjerimin e marrëdhënieve tona. Duhet ta ruajmë gjuhën tonë, për shkak se ashtu e mbrojmë historinë tonë dhe të ardhmen tonë. Ai i cili e harron gjuhën do të humbet veten dhe shtëpinë e tij. Duhet të tregojmë se ky vend është garancë e Ballkanit dhe rajonit. Ne këtu me shekuj kemi jetuar vëllezërisht dhe bashkarisht me të gjithë” – tha Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Shentop.

Urimet për këtë ditë të veçantë për popullin turk i përcolli edhe kryetari i kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, i cili tha se Turqia vazhdon të mbetet ndër miqtë më të besueshëm të vendit tonë.

“Nën termin mik, mendoj edhe për në kohë të mirë edhe në të keqe. Dora e zgjatur e popullit turk gjithmonë i prek zemrat tona. Atë e bën edhe në këto kohëra të vështira të pandemisë globale, kur njerëzimi është i ballafaquar me rrezikun shëndetsor dhe ekonomik. Jemi të falenderuar me prezencën, bashkëpunimin, mbështetjen dhe ndihmën tuaj në çdo segment të mbijetesës sonë.” – u shpreh Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.

Vizita e kryeparlamentarit të Turqisë Mustafa Shentop vjen me rastin e 21 dhetorit - Ditës së arsimit të gjuhës turke në RMV, ku me këtë rast janë organizuar një sërë manifestimesh. (Ersan Pajaziti, TVM2)