Botë

Kosovë, Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë Hoti

22.12.2020 09:18

Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese..

Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e Ekzekutivit më 3 qershor.
Gjykata Kushtetuese vendosi se vota e deputetit Etem Arifi – i cili është i dënuar me burgim – për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte e pavlefshme. Sipas këtij aktgjykimi, Arifi nuk do të duhej të certifikohej fare për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2019. 
 
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses. 
 
“Ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet në konstatimin e pestë të aktgjykimit.
 
Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar më së shumti këtij vendimi që u dha të drejtë pretendimeve të paraqitura nga ky subjekt politik në Kushtetuese në korrik.
 
Partia Demokratike e Kosovës po ashtu u shpreh se e mirëpret këtë aktgjykim. 
 
Përafërsisht njësoj u shpreh edhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa partitë e koicionit qeverisës s’janë deklaruar ende.
 
Sot, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, do t’i mbledhë në një takim partitë politike, për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.