Maqedoni
Nuredini: Gjoba 20 herë më të larta për ndotësit e ambientit
22.12.2020 14:26
Megjithëse në kohë pandemie, Ministria e Ambientit është angazhuar në sigurimin e politikave për zbatimin e standardeve mjedisore.....

Megjithëse në kohë pandemie, Ministria e Ambientit është angazhuar në sigurimin e politikave për zbatimin e standardeve mjedisore dhe mbrojtjen e mjedisit, thotë ministri i ambientit, Naser Nuredini, në raportin për punën në 100 ditët e para në krye të kësaj ministrie në qeverinë e re. Ai tha se janë marrë masa konkrete për të siguruar mjedis të shëndetshëm, për çdo qytetarë, për çka janë propozuar ndryshime ligjore në fushën e mjedisit jetësor. Nuredini theksoi se janë paraparë gjoba për 20 herë më të larta për ndotësit e ambientit.
“Kemi punuar gjithashtu për përmirësime konkrete në rregulloren dhe standardet më të rrepta në tri fusha kryesore edhe atë në kornizën ligjore të mjedisit jetësor, atë të ajrit dhe mbetjeve. Në kuvend propozuam ndryshime në Ligjin për Mjedisin Jetësor, me të cilin krijuam një mekanizëm për sanimin e ndotjes historike dhe pikave të nxehta në vend. Është përcaktuar metodologji për identifikimin e zonave të kontaminuara.”,- tha ministri i ambientit, Naser Nuredini.
I pyetur nëse do të mund të realizohen pritshmëritë për ndotjen e ajrit me buxhet prej 16 milion euro për vitin e ardhshëm, Nuredini doli me përgjigje se mbrojtja e ambientit jetësor kërkon koordinim dhe aktivitetet mes të gjithë aktorëve në shoqëri.
“Normalisht ne kërkojmë edhe shumë e më shumë buxhet, ne vazhdojmë të kërkojmë përkrahje dhe besojmë se do të kemi huazime vitin e ardhshëm, për investime nëpër institucione. Por, kur e shikojmë buxhetin çdo institucion ku bëhet për investime nëpër institucione, p.sh. Ministrin e Transportit e cila ka investime për gazifikim në shtetin tonë që do të ndihmojë në uljen e ndotjes së ajrit, kur e shikojmë Ministrinë e Ekonomisë ka programe për subvencione për energji efecientë ndryshimin e mënyrës së ngrohjes në shtëpi, kur shikojmë Ministrinë e Financave do të ketë investim 25 milion euro për energji efikase, d.m.th. kur i shikojmë të gjithë buxhetin ne jemi këtu për bashkëpunim me gjithë institucionet.”,- tha ministri i ambientit, Naser Nuredini.
Lidhur me disa stacione matëse për cilësinë e ajrit që duhet të vendosen deri në fund të vitit, Nuredini theksoi se instrumentet tanimë janë blerë dhe pritet vendosja e tyre në afat sa më të shkurtër.
GYLTENE SINANI
