Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive, Selami: Enti i Statistikës i përgatitur, presim ligjin

22.12.2020 15:37

Enti Shtetëror i Statistikave është i përgatitur të zhvillojë procesin e regjistrimin në pranverë pas 18 viteve....

Enti Shtetëror i Statistikave është i përgatitur të zhvillojë procesin e regjistrimin në pranverë pas 18 viteve. Zëvendësdrejtori, Ilmi Selami, thotë se është bërë gati aplikacioni, dokumentacioni, si dhe softueri që do të bëjë regjistrimin. Enti pret ligjin, i cili vetëm se ka kaluar leximin e parë në kuvend. Sipas Selamit, vetëm me ligj të miratuar do të mund të angazhojmë regjistruesit në terren.
 
“Sa më shpejtë të sillet ligji aq më tepër i japim afat edhe punës në teren. Nëse sillet ligji deri kah mesi i janarit, d.m.th. ne kemi një kohë që s’do ishte optimal por do të ishte e mjaftueshme që të bëjmë aktivitete dhe t’i mbarojmë aktivitetet përgatitore me sukses dhe të fillojë zbatimi i regjistrimit prej 1 deri më 21 prill.”,- deklaroi zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Ilmi Selami.
 
Selmani: Ekzistojnë mundësitë për lëshime
 
Pyetësorin e regjistrimit do ta përpilojë Enti i Statistikës. Në të do të përfshihet përkatësia etnike, gjuha amë dhe gjuha që flitet në shtëpi. Analisti politik Bashkim Selmani shfaq dyshimet për keqpërdorime të mundshme.
 
“Procedurat janë shumë të komplikuara. Ne nëse mbështetemi në përvojat e së kaluarës gjithmonë regjistrimi është bërë vetëm te formularët. Shpesh herë ka ndodhur që në praktikë t’i regjistrojnë me stilolapsa, njerëz joadekuat, jo të trajnuar mirë dhe nga ana tjetër qendra për regjistrim shpesh herë i ka shënuar me stilolaps dhe janë disa lëshime dhe mangësi që nuk duhet të ndodhin në këto regjistrime.”,- tha analisti politik, Bashkim Selmani.
 
Por, nga Enti i Statistikës sigurojnë se regjistrimi do të jetë transparent, pasi do të angazhohen 5 mijë regjistrues dhe çdo njëri prej tyre do të obligohet të regjistrojë 50 deri në 10 amvisëri apo 500 persona.
 
“Distribuimi i këtyre njerëzve nuk do të bëhet nga qendra, njerëzit do të gjinden nga tereni aty ku gravitojnë. do të zgjidhen persona të cilët e njohin mirë lagjen, vendbanimin ku do ta bëjë regjistrimin. Ideja është që të angazhohet person i cili i njeh ata që duhet t’i regjistrojë dhe ata që duhet të regjistrohen e njohin regjistruesin, d.m.th. janë njerëz të një lagjeje.”,- theksoi zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Ilmi Selami.
 
Selami për mos shfaqjen e pakënaqësive gjatë procesit të regjistrimit fton në kyçjen gjithëpërfshirëse të shoqërisë. Me regjistrim do të përfshihen edhe personat të cilët përkohësisht jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, nga ndonjë i afërm i tyre apo personalisht nga vetë ata nëpërmjet aplikacioneve online.
 
MERAL ISMAILI