Maqedoni
Tabanoc, ulet fluksi i mërgimtarëve
22.12.2020 15:52
Në vendkalimin kufitar Maqedoni–Serbi, në Tabanoc, vërehet lëvizje e vogël.....

Në vendkalimin kufitar Maqedoni–Serbi, në Tabanoc, vërehet lëvizje e vogël. Ditëve të kaluara një numër i madh i mërgimtarëve shfrytëzuan pushimet e fundvitit për t’u kthyer në vendlindje, por vendimi që për hyrje në Serbi të kërkohet testi negativ për virusin Korona, ka ulur fluksin, megjithëse për një vërtetim të tillë nuk kanë nevojë për persona që transitojnë nëpër Serbi, por të njëjtit duhet brenda 12 orësh ta lëshojnë Serbinë. Udhëtarët e anketuar thonë se nuk ka trafik në kufi dhe se procedurat mbarohen për shkurt kohë.
“Jo nuk ka trafik, gjithçka është në rregull. Kam nisur nga Republika çeke, atje punoj. Festat do t’i kalojë në shtëpi, në Maqedoni. Jo nuk na kërkuan test negativ.”,- tha një mërgimtar.
“Tani për tani mirë, vij nga Zvicra. Nuk kishte trafik në kufi, mirë kaluam, pa asnjë problem. Nuk na kërkuan asgjë.”,- theksoi një mërgimtar.
Maqedonia e Veriut për momentin nuk ka vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë. Për hyrje në Maqedoni nga asnjë shtet nuk kërkohet test negative për Kovid-19. Aktualisht janë ndaluar të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe për shkak të variantit të ri të virusit Korona, ndërsa kërkohet izolim shtëpiak prej 14 ditësh për udhëtarët që përmes linjës tokësore ose ajrore do të arrijnë prej atje. Ky vendim aktualisht do të vlejë deri më 31 dhjetor.
SANIJE DURAKU
