Ekonomi

Pandemia Covid-19, është ulur shkëmbimi tregtar

22.12.2020 16:14

Shkëmbimi tregtar RMV-Kosovë në 10 mujorëshin e parë të vitit ka rënë si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi...

Shkëmbimi tregtar RMV-Kosovë në 10 mujorëshin e parë të vitit ka rënë si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Kështu theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili paraditen e kësaj të marte priti në takim një delegacion nga Kosova të udhëhequr nga ministri i tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi. E veçanta është se edhe përskaj krizës është rritur importi nga Kosova në drejtim të Maqedonisë së Veriut, thekson Bekteshi.
 
“Në 10 mujorin e parë të vitit 2020 ka rënie sa i përket shkëmbit tregtar për shkak të krizës së pandemisë. Është me rëndësi të theksohet fakti që është rritur importi nga R. e Kosovës në drejtim të Maqedonisë dhe ka një zvogëlim të konsiderueshëm sa i përket eksportit nga vendi ynë drejt Kosovës, por marrë parasysh strukturën e eksportit është më se e logjikshme që kjo të ndodh për shkak se Maqedonia eksporton derivate të naftës në Kosovë dhe për shkak edhe të kufizimeve apo restriksione të ndryshme të cilat i ka vendosur edhe Kosova në muajt paraprak.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Sipas ministrit kosovar, Krasniqi, bashkëpunimi mes dy shteteve do të thellohet në fushën e turizmit, ku do të nënshkruhet një memorandumin për menaxhim të përbashkët të resoreve turistike “Kodra e diellit” dhe “Brezovica”.
 
“Do të kemi mundësi të nënshkruajmë memorandum apo marrëveshje të përbashkët për të investuar në fushën e turizmit ne si Kosovë në pjesën e Brezovicës po ashtu edhe Maqedonia e Veriut në pjesën “Kodra e Diellit” dhe kështu të bëjmë një urë lidhëse në fushën e turizmit. Po ashtu biseduam për ngritjen e bashkëpunimin edhe në fushën e inovacionit, teknologjisë, mbështetjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla të të dyja anëve dhe mënyrën se si të aplikojmë në projekte të përbashkëta IPA të BE-së.”,- tha ministri, Vesel Krasniqi.     
          
Ministri kosovar, Vesel Krasniqi, nuk iu shmang pyetjeve të gazetarëve rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese se qeveria aktuale e Kosovës është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Krasniqi theksoi se takimi është aranzhuar shumë më herët dhe pavarësisht zhvillimeve të brendshme që ndodhin në Kosovë,  bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të zhvillohet pa pengesa.
 
ZEKIRJA MEXHITI