Maqedoni

ASh, kritika kryeministrit Zaev për planin “21”. VMRO-DPMNE: Dyshja Zaev-Dimitrov, me politika të gabuara

22.12.2020 16:51

Aleanca për Shqiptarët apelon te kryeministri, Zoran Zaev, që dështimet brenda qeverisjes të mos i adresojë drejt BE-së...

Aleanca për Shqiptarët apelon te kryeministri, Zoran Zaev, që dështimet brenda qeverisjes të mos i adresojë drejt BE-së, sepse sipas deputetit të kësaj partie, Elmi Aziri, qytetarët e vendit janë të përcaktuar për rrugën euroatlantike dhe nuk ka vend te ata të instalohet euroskepticizmi.
 
Sipas ASh-së, edhe platforma e titulluar “21” është vetëm tentative për t’ju hedhur sy qytetarëve, sepse dështimet e kësaj qeverie janë evidente në të gjitha drejtimet si në gjyqësi, korrupsion e krim të organizuar. 
 
“Fjalimi i tij i djeshëm që Komisioni Europian ka përcjellë sinjale negative është një tentativë e radhës për t’i kamufluar dështimet e njëpasnjëshme që i ndodhin kësaj qeverie në të gjitha dimensionet. Paraqitja e aksion “21” apo platforma në dhjet; pika për fokus të brendshëm është një tentative për t’ju hedhur mjegull syve të qytetarëve, sepse në të nuk ka asgjë serioze.”,- deklaroi deputeti i ASH-së, Elmi Aziri.
 
Aziri po ashtu potencoi se deklaratat e Zaevit ngjasojnë shumë me të ish kryeministrit Gruevski pas Samitit të Bukureshtit. 
 
Edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare përmes një komunikate i ka vlerësuar si të gabueshme politikat e dyshes Zaev-Dimitrov, në të gjithë sferat e rrugës eurointegruese të vendit, duke mos përjashtuar edhe marrëveshjen me Bullgarinë, që u tregua si frenuesi kryesor për ambiciet e vendit tonë.
 
“Zaev, i cili ishte nënshkrues i marrëveshjes së dëmshme me Bullgarinë, si dhe në një linjë "vëllazërore" me politikanë bullgarë të cilët tani nuk diskutojnë, gënjen se ai nuk e dinte se çfarë dëshiron Bullgaria, janë dëshpëruese për publikun maqedonas. Për shkak të veprimeve të tij dhe premtimeve të pamatura për fillim të negociatave me BE-në, është bërë një mjegull. Zaev, Dimitrov dhe LSDM, edhe pse pranuan që të kontestohet identiteti maqedonas, ata nuk siguruar ardhmëri për vendin.”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM mbështesin platformën “21” të qeverisë në të cilat përfshihen dhjet segmentet më kryesore, në mesin e të cilave edhe integrimi i vendit në BE dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve sipas standardeve të BE-së.
 
FITIM KRYEZIU