Botë

Kosovë, partitë konsultohen për datën e zgjedhjeve

22.12.2020 17:46

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar për konsultim përfaqësuesit politikë për të diskutuar...

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar për konsultim përfaqësuesit politikë për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
 
Osmani ka thirrur në takim përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, për shkak të votës së deputetit, Etem Arifit, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
 
“Ne nuk kemi folur për datë konkrete, por vetëm kemi shprehur interesimin tonë që në harkun tonë të mundshëm të jetë sa më e hershme data, pra sa më e afërt e diela e zgjedhjeve të ardhshme në harkun e caktuar kohor, që varet nga dita kur neve do të na vijë aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, meqenëse mbrëmë kemi marrë vetëm njoftimin me dispozitorë. Në anën tjetër, sa i përket hollësive të cilat i ka përmendur Gjykata Kushtetuese, ne gjithashtu duhet të presim për aktgjykimin e plotë që ta themi qëndrimin tonë.”,- tha kryetari i VV-së, Albin Kurti.
 
“Ne si LDK edhe më herët kemi deklaruar se jemi të gatshëm për zgjedhje, duke e parë kontekstin politik, edhe rrethanat politike në të cilat është diskutuar, si zhvillimet e fundit politike, shpeshherë e kemi përmendur që zgjedhjet duhet të mbahen edhe në janar në mënyrë që procesi zgjedhor, certifikimi me ankesa e të gjitha të përfundojnë në kuadër të mandatit kushtetues, ushtruese së presidentit, prandaj të mos kalohet kjo dhe të mos kalohet me ndonjë paqartësi kushtetuese.”,- u shpreh Arban Abrashi nga LDK. 
 
“Është një vit i vështirë edhe për PDK-në, për shkak të faktit se udhëheqësit e luftës dhe liderët e PDK-së sot janë në Hagë dhe kjo ka qenë një goditje ndaj PDK-së, por edhe ndaj shtetit të Kosovës, por ne jemi të sigurt se ne do të dalim më të fortë, më të bashkuar dhe më të mirë.”,- theksoi u. d. kryetar i PDK-së, Enver Hoxaj.
 
“Do të shohim se çfarë përfundimi do të dalë, por natyrisht se do t’i respektojmë të gjitha procedurat që kërkohen, ne jemi këtu dhe do ta shihni të gjithë se si do të dalë AAK.”,- tha Daut Haradinaj nga AAK.
 
Para se të vendosë për datën e zgjedhjeve, Osmani të mërkurën do të vazhdojë takimet me përfaqësuesit e subjekteve më të vogla politike, përfshirë dhe ato të minoriteteve.
 
GYLTENE SINANI