Maqedoni
Samiti, takimi i liderëve perëndimor të G-20
14.11.2014 14:52
Tensionet mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe liderëve perëndimorë pritet të jenë në qendër të vëmendjes gjatë takimit të G20...

Tensionet mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe liderëve perëndimorë pritet të jenë në qendër të vëmendjes gjatë takimit të G20, që do të mbahet në qytetin australian, Brisbane.
Zyrtarët australianë kanë thënë se Samiti i Grupit 20, që do zgjasë dy ditë, më 15 dhe 16 nëntor, duhet të përqendrohet në nxitjen e krijimit të vendeve të punës dhe forcimin e ekonomisë globale.
Por, pasur parasysh që samiti vjen në kohën e tensioneve në lindje të Ukrainës dhe raportimeve të fundit për dërgimin e forcave dhe armëve ruse atje, pritet që takimi të fokusohet në këtë problem.
Ndërkohë që Moska vazhdon të mohojë se ka dërguar ushtarë dhe armë në lindje të Ukrainës për të ndihmuar separatistët pro-rusë, nga konflikti i së cilës prej muajit prill kanë vdekur më shumë se 4 mijë njerëz.
Raportet mes Rusisë dhe Australisë janë tensionuar pas rrëzimit në muajin korrik të avionit “Malaysian Airlines” në lindje të Ukrainës.
Në mesin e 298 njerëzve në bord që kanë gjetur vdekjen, prej tyre 38 ishin australianë. Shtetet perëndimore besojnë se avionin e kanë rrëzuar separatistët pro-rusë, me një raketë tokë-ajër, të marrë nga Rusia.
