Maqedoni

Brima, Gallup Internacional: Pritet vit më i mirë, por jo në aspekt ekonomik

23.12.2020 15:03

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mendojnë se viti 2021 do të jetë më i mirë se ky vit...

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mendojnë se viti 2021 do të jetë më i mirë se ky vit, por nuk janë optimistë në lidhje me përparimin ekonomik, tregon hulumtimi i kryer nga Agjencia hulumtuese Brima Gallup. Anketa është realizuar nga data 1 deri më 9 dhjetor 2020, me 504 persona mbi moshën 18 vjeç.
 
Në pyetjen “A mendoni se viti 2021 do të jetë më i mirë, më i keq apo i njëjtë me vitin 2020", 50% e të anketuarve presin që viti 2021 të jetë më i mirë, ndërsa 26 % e qytetarëve presin që viti i ardhëshëm të jetë më i keq, 22 % mendojnë se do të jetë i njëjtë dhe 3 % janë përgjigjur se nuk e dinë.
 
Në pyetjen “A do të jetë viti i ardhshëm në krahasim me këtë vit, vit i prosperitetit ekonomik, vështirësive ekonomike apo do të mbetet i njëjtë për vendin tonë”, 52 % e të anketuarve thanë se viti 2021 do të jetë vit i vështirësive ekonomike kundrejt 28 % që mendojnë se do të jetë vit i prosperitetit ekonomik, ndërsa 18 përqind presin që të jetë i njëjtë me atë të mëparshmin.
 
"29 % e qytetarëve të Maqedonisë së veriut janë përgjigjur se ndihen të lumtur, 38 përqind se nuk janë as të lumtur as të palumtur dhe 32 përqind deklaruan se ndihen të palumtur. Pasqyra e prosperitetit ekonomik në nivel global është në ndikim të fuqishëm nga përgjigjet e qytetarëve të BE-së, te të cilët dominon shprehja e pesimizmit. Përgjigje të tilla janë për shkak të faktit se pandemia në shumë vende të BE-së nuk tregon shenja të të qenit nën kontroll. Gjithsej 63 përqind besojnë se viti i ardhshëm do të jetë vit i vështirësive ekonomike”, vlerëson BRIMA.
 
Raporti vjetor global i Brima Gallup mbi temën “Pritjet e qytetarëve të botës për vitin 2021” u zhvillua në më shumë se 40 vende, gjatë së cilës anketoi më shumë se 38,000 qytetarë në të gjithë botën. Epilogu i përgjithshëm është se viti 2020 do të mbahet mend si një vit i pandemisë dhe karantinës.
 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI