Futboll

Dëbohet Mazzari, në krye të Interit Roberto Mancini

14.11.2014 15:01

Roberto Mancini është kthyer në mënyrë të papritur tek Inter, po aq papritur sa është larguar nga stoli zikaltër Ëalter Mazzari...

Zërat për ndërrimin e trajnerëve kanë qarkulluar mëngjesin e së premtes dhe më vonë gjatë ditës janë konfirmuar nga burime të afërta me klubin.

Presidenti Thohir ka habitur të gjithë me lëvizjen e Mazzarit përpara derbit të 23 nëntorit. Kjo, pasi dukej se tekniku gëzonte besim të plotë dhe se mund të luante shansin e tij në ndeshjen me Milan dhe më pas me Romën.

Por presidenti ka zgjedhur zëvendësimin e tij duke parë gatishmërinë e shprehur më parë nga Roberto Mancini.

Sipas mediave italiane, me këtë të fundit është arritur një marrëveshje në orët e natës.

Mancini pritet të firmosë një kontratë prej 2 vjet e gjysmë dhe do të jetë në stolin zikaltër pikërisht për takimin e shumëpritur të 23 nëntorit.

Tekniku ka drejtuar më parë ekipin e Inter nga viti 2004 në 2008, duke fituar tre kampionate.