Futboll

Shqipëria sonte miqësore kundër Francës

14.11.2014 15:32

Shqipëria do të luajë në fushën e Francës në orën 20:45, një nga përballjet më prestigjoze të historisë së saj...

Trajneri Xhani De Biazi drejtoi stërvitjen e fundit në stadiumin e Renës dhe besohet se i ka idetë të qartë. Për të qenë i kujdesshëm në mbrojtje, pritet të luajë me skemën 4-5-1.

Për fat të keq nuk do t’i ketë të gjithë lojtarët që kishte në plan. Të tillë si Kaçe apo Rama do të mungojnë. Përballë është Franca, një nga ekipet më të mirë të botës.

"Franca ka fituar 13 vende në renditjen e FIFA-s vitin e fundit dhe tani është në vendin e shtatë. Kjo është shenjë e qartë se puna e Deshampit po jep rezultate. Natyrisht, nuk duhet harruar fakti se kur një trajner ka lojtarë të mirë, e ka më të lehtë. Sot Franca ka një grup lojtarësh të rinj, por që tashmë njihen mirë me njëri-tjetrin. Disa vjet më parë, ka pasur lojtarë shumë të mirë, por nuk ishte skuadër. Shembulli më i mirë ishte në Botërorin e Afrikës së Jugut kur u eleminua në mënyrë të pabesueshme", u shpreh De Biazi. 

Ndryshe, kombëtarja shqiptare është ndeshur katër herë me Francën. Francezët i kanë fituar të gjitha përballjet që kanë qenë për eleminatoret e kampionatit europian. Herën e fundit, në vjeshtën e 2011-ës, me rezultatet 2-1 në Tiranë dhe 3-0 në Paris.