Maqedoni

Seancë e re për rastin “Monstra”

24.12.2020 11:35

Në Gjykatën Penale të Shkupit për sot është caktuar seancë e re për rastin “Monstra”...

Në Gjykatën Penale të Shkupit për sot është caktuar seancë e re për rastin “Monstra”, në të cilën pritet që të vazhdohet me provat materiale. Gjykimi për këtë rast është drejt fundit dhe së shpejti pritet që pala e akuzës dhe mbrojtjes t’i thonë fjalët përfundimtare. 
 
Për rastin “Monstra me burg të përjetshëm” nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, janë dënuar Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta.
 
Gjykata Supreme më 24 nëntor 2017 solli vendim që lënda të shkojë në rigjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën.
 
Fejzi Aziri është ende në burg për një tjetër rast për të cilin është dënuar me 6 vite e gjysëm. Dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, ende janë në arrati. Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.