Botë

Covid-19, tjetër variant qarkullon në Britani, erdhi nga Afrika

24.12.2020 12:14

Mbretëria e Bashkuar duket se është bërë vend i përhapjes dhe i mbledhjes së mutacioneve të Covid-19....

Mbretëria e Bashkuar duket se është bërë vend i përhapjes dhe i mbledhjes së mutacioneve të Covid-19.
 
Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, njoftoi se janë verifikuar dy raste të një varianti të ri të virusit korona. Të dy janë kontakte të personave që kanë udhëtuar nga Afrika e Jugut për në Mbretërinë e Bashkuar.
 
“I jemi falënderues qeverisë së Afrikës së Jugut për shkencën e tyre”, tha Hancock. Ministri shpjegoi se mutacioni i fundit është shumë i transmetueshëm. Ai shtoi se Britania po karantinon rastet e reja dhe se po vendos kufizime në udhëtimet nga Afrika e Jugut.
 
Gjithashtu theksoi se të gjithë ata persona që kanë qenë në kontakt me dikë që ka ardhur nga ky shtet ditëve të fundit duhet të izolohen. Sipas ministrit Hancock, mutacioni i virusit korona në Afrikë është më shumë i transmetueshëm se varianti i ri i shfaqur në Britani gjatë javëve të fundit.