Botë
Nis sot Vaksinimi në Greqi, mes 45 zyrtarëve të lartë, Presidentja dhe Kryeministri
24.12.2020 12:56
Autoritetet shëndetësore në Greqi kanë publikuar listën me 45 zyrtarët e lartë grekë që do të vaksinohen në fillim prej sot....

Autoritetet shëndetësore në Greqi kanë publikuar listën me 45 zyrtarët e lartë grekë që do të vaksinohen në fillim prej sot deri në 10 janar, dita kur do të ketë përfunduar faza e parë e vaksinimit kundër virusit korona për 70000 persona.
Siç bëhet me dije në kuadrin e planit kombëtar, do të vaksinohen të parët në datën 27 presidentja e Greqisë Sakelaropoulou dhe kryeministri Mitsotakis . Më pas bien në sy emrat e kryetarit të Parlamentit, ministrit të Jashtëm dhe zëvendësave të tij, ministrit të Mbrojtjes, të Rendit dhe Shëndetësisë me zëvendesat e tyre si dhe një pjesë e personelit që ka përparësi për funksionimin e qeverisë, zyrtare nga organizmi kombëtar i shëndetësisë, nga organet policore dhe ushtarake.
Në ditët në vazhdim përparësi kanë personeli shëndetësor, ai i shërbimeve sociale, të moshuarit në azile apo qendra shëndetësore.
Specialistët ndjekin ende me shqetësim numrin e vdekjeve nga Covid -19 që mbetet i lartë. Duke parë ditët e fundit lëvizjen e madhe të njerëzve në qendër të qyteteve të mëdha, me apo pa automjete, qeveria dhe specialistët bëjnë thirrje për kujdes të jashëtzakonshëm gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke kërkuar që maksimumi në një tryezë familjare në mesdite të mblidhen vetëm dy familje deri në 9 persona, ndërsa do të vazhdojë të jetë në fuqi ora policore nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.
Për herë të parë në Greqi janë ndaluar fëmijët të shkojnë në shtëpitë e lagjeve dhe të afërmve për të kënduar këngët e Krishlindjeve dhe Vitit të Ri në prag të festave, një traditë qindra vjeçare. Ndërsa për herë të parë pas 92 vitesh nuk do të zhvillohet edhe llotaria kombëtare e vitit të ri.
