Maqedoni

Kontesti Bullgari-RMV, Mas: Gjermania nuk heq dorë nga zgjidhja

24.12.2020 14:44

Gjermania do të vazhdojë të angazhohet për gjetjen e zgjidhjes për kontestin bullgaro-maqedonas...

Gjermania do të vazhdojë të angazhohet për gjetjen e zgjidhjes për kontestin bullgaro-maqedonas edhe pas përfundimit të kryesimit me BE-në, thotë ministri gjerman i punëve të jashtme, Hajko Mas. Ai në intervistë për “Dojçe Velen” ka vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, aspirante për t’u anëtarësuar në BE, kanë bërë përparim tejet të madh në vitet e fundit, e posaçërisht Maqedonia e Veriut. 
 
“Ne jemi të fundit të cilët frenojnë kur bëhet fjalë për këtë temë. Në thelb, kur bëhet fjalë për bllokadë, bëhet fjalë për marrëdhënie bilaterale të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne, si kryesi me Këshillin e BE-së, investuam shumë përpjekje në tentimin për të arritur deri te zgjidhja. Për fat të keq, pa sukses.”,- theksoi shefi i diplomacisë gjermane, Hajko Mas. 
 
Karakaçanov ironizon: Mund të dalë se edhe Krishti ishte maqedonas
 
Por, zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, sërish ka dalë me vlerësime të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për “BNT”, ai ka ftuar politikanët maqedonas që ta ndërtojnë historinë mbi baza të fakteve autentike. 
 
“Këtu prej kohës së Jugosllavisë popullata trajnohet të urrejë, arsimohet të urrejë bullgarët, shqiptarët, grekët, ndërsa të dojë vetëm Beogradin dhe serbët. Gjithçka tjetër duhet të urrehet. Për ata ne jemi tatarë, fashistë dhe okupatorë. Do të dalë që maqedonasit ekzistojnë që nga koha e apostol Pavles, ndërsa Jezu Krishti ka qenë maqedonas.”,- ka deklaruar zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, sipas të cilit Sofja nuk i ka vendosur veto Maqedonisë, por vetëm ka lënë hapësirë që të fillojnë negociatat kur vendi të përmirësohet.
 
GYLTENE SINANI