Maqedoni

Tetovarët protestuan për ajër të pastër

14.11.2014 17:01

Nën moton “Më le të marr frymë’, qytetarët e Tetovës kanë protestuar kundër ndotjes kancerogjene të ambientit në rajonin e Pollogut...

Nën moton “Më le të marr frymë’, qytetarët e Tetovës kanë protestuar kundër ndotjes kancerogjene të ambientit në rajonin e Pollogut, që vjen si pasojë e Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom”.
 
“Të mbrojmë shëndetin tonë”, “Duam ajër”, “Tetova si Cernobili”, “Ajër për Tetovës” është thirrur gjatë marshit që u zhvillua nga Sheshi “Iliria” e deri tek rrethi në dalje të qytetit për në Shkup, ku u bllokua komunikacioni për 15 minuta.
 
“Sot e thirrëm një marsh protestues për të shprehur edhe njëherë pakënaqësitë, shpresojmë që shumë shpejt nga java tjetër do organizohemi dhe do protestojmë, do të organizohemi që të tubojmë sa më shumë qytetarë afër Fabrikës së “Jugohromit”, që ta shohin nga afër se çfarë është problemi dhe ta bëjmë një protestë, të demonstrojmë pakënaqësitë në vend. Shpresojmë që brenda këtij muaji të organizohemi dhe të protestojmë edhe përpara qeverisë, e cila është fajtore për këtë gjendje që është krijuar. Qeveria e Maqedonisë është bërë avokat i ndotjes, në vend që t’i mbrojë qytetarët e Tetovës”- deklaroi kryetari i Shoqatës “Eko Gerilla”, Arianit Xhaferi.
 
Profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti, tha se në kuptimin e arsyeve ekonomike vendimi i qeverisë për “Jugohromin” është skandaloz.
 
“Mendoj se vendimi është skandaloz, arsyeshmëria është edhe më skandaloze në kuptimin e arsyeve të natyrës ekonomike, se njëmijë të punësuar qenkan shumë të rëndësishëm atje krahasim me 100 mijë qytetarë të Tetovës dhe nja 100 mijë në rrethinë. Pra, kjo nuk ka ndonjë arsyeshmëri të asaj natyre, bile do të kisha thënë edhe 100 mijë me qenë të punësuar nuk vlejnë në krahasim me 100 mijë të helmuar”- tha profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti.
 
Qytetarët e anketuar nga kamera jonë thonë se nuk do të ndalojnë me protestat deri sa të ndalet ndotja nga Kombinati i “Jugohromit”.
 
“Kemi dalë të protestojmë se duam ajër të pastër në krejt Maqedoninë, nuk duam Cernobil të dytë, se si po vazhdon kështu, ne jemi Cernobil. Do të vazhdojmë të protestojmë edhe në të ardhmen  dhe fabrika duhet menjëherë të mbyllet, kur t’i rregullojë filtrat, atëherë le të vazhdojë me punën”- tha një qytetar.
 
“Kemi dalë ngase nuk mund të marrim ajër të pastër, nuk mundemi të frymojmë, nuk lejojmë fëmijët tanë të na sëmuren. Ne si organizatë do të vazhdojmë në të ardhmen edhe para qeverisë të protestojmë. Kam një mesazh për ata që s’janë këtu, duhet të na bashkëngjiten, se edhe ata janë pjesë e jona”- u shpreh një qytetar.
 
“Kemi dalë për ajrin e ndotur, duhet me bë diçka qeveria, problemi është krejt te qeveria, duhet bërë përpjekje të gjithë të vijnë këtu dhe që të rregullohet ky problem, ky është problem i popullit, se na helmuan”- theksoi një qytetar.
 
Nga Shoqata “Eko Guerilla” kanë apeluar deri tek qytetarët e Tetovës dhe rrethinës, që javën e ardhshme të dalin sa më masovisht në protestën që do të zhvillohet në Jegunovcë, para ndotësit më të madh të rajonit të Pollogut, gjegjësisht Fabrikës së “Jugohromit” dhe më pas protestat do të transferohen para mbështetësit të “Jugohromit”, Qeverisë së Maqedonisë.
 
MIFTAR EMINI