Botë
Serbi, nis vaksinimi me vaksinën anti-Kovid të “Pfizer”
24.12.2020 15:32
Serbia është vendi i parë i rajonit që nisi vaksinimin kundër virusit Korona me vaksinën...

Serbia është vendi i parë i rajonit që nisi vaksinimin kundër virusit Korona me vaksinën e prodhuar nga kompania “Pfizer”. Të parët që janë vaksinuar janë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ministrja e punës dhe politikës sociale, Kisić Tepavčević, dhe epidemiologu, Predrag Kon. Serbia aprovoi individualisht vaksinën dhe ka marrë tashmë 5 mijë dozat e para.
“Si kryetare e qeverisë dhe si një person që udhëheq shtabin e krizës kamë ndjerë përgjegjësi që të jem e para që do ta pranoj vaksinën për të dëshmuar se edhe ne besojmë në këtë vaksinë.”,- tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.
“Për të fituar imunitet janë të nevojshme 2 doza. 7 ditë pas dozës së dytë mund të thuhet se imuniteti është fituar.”,- theksoi Darija Kisić Tepavčević nga MPPS e Serbisë.
“E fillojmë luftën me armë në dorë dhe në këtë rast ajo është vaksina. Në këtë rast ende ka gjendje të jashtëzakonshme në spitalet tona.”,- potencoi epidemiologu, Predrag Kon.
Një ditë pas Krishtlindjeve pritet të fillojë vaksinimi edhe në Greqi.
Komisioni Evropian filloi shpërndarjen e vaksinës anti-Covid
Ndërkohë, për pjesën tjetër të Ballkanit duket se do të duhet të pritet fillimi i vitit 2021 për të nisur vaksinimi. Komisioni Europian nisi shpërndarjen e vaksinave anti-Covid në 27 vendet anëtare. Sipas asaj që raporton vetë KE, vaksinimi në këto vende pritet të nisë në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor.
“Këto vaksina së shpejti do të mbërrijnë në destinacionin e tyre për t’u përdorur gjatë ditëve të vaksinimit në 27, 28 dhe 29 dhjetor.”,- njofton Komisioni Europian. Deri tani Komisioni Europian ka siguruar 2 miliardë doza vaksina anti-Covid, të prodhuara nga disa prej kompanive më të njohura farmaceutike, si “Moderna”, “Covax”, “Biontech” dhe “Pfizer”. Në pritje të fillimit të imunizimit të popullsisë me vaksinën anti-Kovid vazhdon të rritet numri i të infektuarve.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani numri i të infektuarve me COVID-19 në mbarë botën ka shkuar në mbi 79 milionë njerëz. Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej mbi 18 milion të infektuar. Pasojnë India me mbi 10 milion raste, Brazili me 7 milion, Rusia, Franca, Britania dhe Turqia kanë mbi 2 milion të infektuar, ndërsa Italia, Spanja, Gjermania, Argjentina, Kolumbia, Meksika, Polonia, Irani dhe Peruja me mbi një milion raste të infektimit. Deri më tani e kanë humbur jetën mbi 1.73 milionë njerëz, kurse mbi 55.6 milionë të infektuar nga Kovid-19 janë shëruar.
REJHANE BUSHI METAJ
