Gjykata Penale: Nuk do të ketë rindërtim të vrasjes së pesëfishtë
Gjykata Penale ka vendosur që të mos ketë rindërtim të vrasjes....

Gjykata Penale ka vendosur që të mos ketë rindërtim të vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës me arsyetimin se ka ndryshuar vendi. Avokatët e të akuzuarve thanë se kjo është hera e pestë që gjykata ua refuzon këtë kërkesë.
Ata thanë se do të insistojnë edhe më tej, pasi sipas tyre, rindërtimi i rastit është shumë i rëndësishëm për të vërtetën. Ndërsa gjykimi ka vazhduar me dëshminë e një pjesëtari të MPB-së, i cili, mes tjerash, theksoi se kanë telefonuar se bëhet fjalë për çështje të madhe dhe duhen më shumë njerëz.
“Inspektimi në vendin e ngjarjes zgjati deri në orët e mëngjesit. Unë isha i angazhuar për ndriçimin e fushës, duke shënuar numra.”
Në dëshminë e tij i punësuari në sektorin e krim-teknikës për veprimet e tij në 12 prill 2012 në liqenin e Smillkovës, vendi ku ndodhi vrasja e pesëfishtë, theksoi se nuk ka ndërmarrë asgjë pa urdhër dhe se edhe të nesërmen kanë dalë në vendin e ngjarjes, por nuk kanë qëndruar gjatë dhe nuk kanë gjetur asgjë. Ndërsa në punë ka dëgjuar se është gjetur edhe diçka por kurrë nuk e ka kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Pala mbrojtëse vlerëson se dëshmia e dëshmitarit është vërtetim se më 12 dhe 13 prill gjatë hetimit nuk është gjetur asgjë tjetër.
“Me dëshminë e tij doli që jemi ne në të drejtë kur themi se më datën 13 nuk është gjetur asgjë tjetër. Këtë e konfirmon dëshmitari i cili thotë se ditën e nesërme, pra më 13 prill, kur kanë dalë edhe një herë në vendin e ngjarjes. Nuk është gjetur asgjë. Kemi dëshmitarë para këtij i cili po ashtu është i punësuar në MPB, e cili thotë se konkretisht ky ka gjetur diçka, ndërsa i njëjti e mohoi që ka gjetur diçka. Kjo çaurë është e montuar.”,- u shpreh avokati, Naser Raufi.
Pala mbrojtëse, përveç që insiston në akuzën se është rast i montuar, ata thonë se janë të dëshpëruar nga prokurorja e rastit dhe të njëjtit do të ankohen për këtë çështje. Për vrasjen e pesëfishtë janë të akuzuar Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Afrim Ismailoviq, Alil Demiri, Haki Aziri dhe Sami Luta.
Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri janë në arrati në Kosovë dhe nuk janë ekstraduar deri më tani. Të pestët u dënuan me burgim të përjetshëm, por Gjykata Supreme në vitin 2017 e hoqi aktgjykimin, ndërsa rastin “Monstra” më pas e mori PSP-ja dhe gjykimi filloi nga fillimi. Rasti udhëhiqet nga prokurorja, Fatime Fetai. (Sanije Duraku, TVM2)
