Maqedoni

Fillon ndarja e elaborateve gjeodezike papagesë

14.11.2014 17:04

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencinë për Kadastër dhe Patundshmëri...

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencinë për Kadastër dhe Patundshmëri, sot ndau elaboratin e parë pa pagesë për familjet  që marrin ndihma sociale, me çka u mundësohet legalizimi i objekteve.  
 
Sipas ministrit Janakievski, të gjitha elaboratet gjeodezike do të dërgohen nëpër komuna dhe nuk do të ketë nevojë që aplikuesit të jenë prezent.
 
“400 familjeve do t’u mundësojmë legalizim pa pagesë të objekteve. Për momentin kanë aplikuar mbi 1 mijë kërkues, ndërsa gati janë 400 elaborate. Ndërkohë, kur do të dihet saktësisht se cilat familje marrin ndihma sociale ose janë nën nivelin e të ardhurave, atëherë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale menjëherë do ta informojë Agjencinë për Kadastër, që të fillojë me procedurën për legalizimin e objekteve pa pagesë”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
“Me këtë projekt, në mënyrë të konsiderueshme u ndihmojmë personave që marrin ndihma sociale dhe qytetarëve që kanë të ardhura jo të mjaftueshme deri në 14 mijë denarë në muaj, që pastaj ata të kenë mundësi të fitojnë elaborat pa pagesë për legalizimin e objekteve të tyre”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Sipas drejtorit të Agjencisë për Kadastër, Sllavçe Trpevski, prej fillimit të procedurës së legalizimit, nga marsi i vitit 2011 deri më tani janë regjistruar mbi 107 mijë objekte, me vendime të përgatitura për legalizim dhe dhënie të fletëpronësisë. Ndërsa janë dorëzuar gjithsej 360 mijë kërkesa për legalizim.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI