Ekonomi
Kosova dhe Maqedonia, katër projekte të përbashkëta
14.11.2014 17:23
Kosova dhe Maqedonia i bashkojnë forcat për të thithur fonde evropiane për zhvillimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor...

Dy ministrat e Ekonomisë, ai i Maqedonisë dhe i Kosovës, Bekim Neziri dhe Fadil Ismajli, sot ranë dakord që në konferencën e ardhshme ndërkombëtare të BE-së në Vjenë, të konkurrojnë me 4 projekte, të cilat janë në interes të të dyja vendeve.
“Sot patëm takim paraprak, ose takim përgatitor për takimin e ardhshëm ditor, që do të mbahet në Vjenë, takim nga i cili do të zgjidhen projekte që do të përkrahen financiarisht nga Unioni Evropian, kryesisht do të përkrahen projekte të cilat do të kenë impakt rajonal jo vetën për Republikën e Kosovës dhe Maqedonisë, andaj mendoj se takimi i sotëm ishte konstruktiv”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Sa i përket Ballkanit Perëndimor, është ajo se definitivisht të gjithë bashkë këto shtete e kanë kuptuar se jemi figurativisht në një anije dhe që në breg do të dalim ose të gjithë bashkë, ose do të vazhdojmë edhe më tutje të përpiqemi nëpër dallgët e detit, respektivisht dallgët e moszhvillimit adekuat që i kemi pasur deri më sot. Do të ketë takime bilaterale jo në aspektin e vetëm të projekteve bilaterale, por në aspektin e përafrimit të pozicioneve dhe shpjegimit të projekteve me ndikim regjional në takimin e ardhshëm, që sigurisht do të mbahet në Vjenë”- tha ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli.
Katër projektet në fjalë, para së gjithash janë të dedikuara për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike, të cilat parashihen të marrin mbështetje financiare nga BE-ja për ndërtimin e rrugës magjistrale që lidhë Maqedoninë me Kosovën, magjistralja Shkup-Bllacë, Tetovë-Prizren dhe ndërtimi infrastrukturor i hekurudhës rajonale dhe ndërtimi i një linje të dytë 400 kilovolltshe, e cila do të ketë efekt pozitiv energjetik.
Takimi në Vjenë do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
REXHEP QAMILI
