Botë

Italia, e gjitha “zonë e kuqe”, izolim i plotë

25.12.2020 12:31

Italia është zgjuar mes një izolimi rigoroz, të vendosur nga qeveria për të frenuar shtimin e rasteve....

Italia është zgjuar mes një izolimi rigoroz, të vendosur nga qeveria për të frenuar shtimin e rasteve me koronavirus gjatë festave të fundvitit.
 
Nga 24 dhjetori deri më 6 janar, i gjithë vendi do të përcaktohet 10 ditë si zonë e kuqe dhe 4 të tjera si zonë portokalli. Për të dalë nga shtëpitë, qytetarëve në Itali do t’u nevojitet një autorizim, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar kontrollet në rrugë.
 
Qarkullimi mes rajoneve është i ndaluar, përveç për arsye pune, shëndetësore apo nevoja të tjera të domosdoshme. Lehtësim i vogël në ditën e ndërrimit të viteve dhe më pas, ku lejohet një zhvendosje e vetme, për të vizituar miqtë apo prindërit.
 
Blerjet e shfrenuara për Krishtlindje mungonin këtë vit, por të mërkurën, qytetarët pushtuan dyqanet për të blerë dhuratat e minutës së fundit përpara izolimit. Rrobat dhe bizhuteritë ishin mes dhuratave të zakonshme edhe në këtë kohë pandemia, por dhurata më e kërkuar e italianëve është një shëndet I mirë dhe sigurisht, një vaksinë.
 
Italia do të nisë vaksinimet për Covid-19, më 27 dhjetor, pasi rregullatori Europian e më pas ai shtetëror aprovuan përdorimin e dozave të zhvilluara nga Pfizer dhe Biontech. Qeveria e Romës synon që të arrijë imunitetin e tufës me anë të vaksinës deri në fundin e verës së vitit të ardhshëm.