Maqedoni

Debat mbi papunësinë dhe multikulturalizmin

14.11.2014 17:30

Krijimi i një forumi të ri të biznesit dhe përforcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe sektorit joqeveritar...

Krijimi i një forumi të ri të biznesit dhe përforcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe sektorit joqeveritar, janë dy nga masat që do të ndërmerren nga disa institute dhe organizata joqeveritare, për të zbutur papunësinë e rinisë dhe për të promovuar multikulturën në vend.
 
Nga sektori joqeveritar thonë se janë munduar që në një platformë të vetme të gërshetojnë papunësinë e të rinjve dhe multikulturalizmin, sepse këto dy çështje për momentin shqetësojnë më së shumti rininë.    
 
“Pra, krijimin e një forumi të ri të biznesit, masa më të mëdha për bashkëpunim mes institucioneve dhe sektorin joqeveritar, sepse ky bashkëpunim kohëve të fundit është me nivel shumë të ulët. Kështu do të tentohet që të bashkëpunohet më shumë, që të mund t’i përcjellim drejtpërsëdrejti kërkesat e rinisë sonë”- deklaroi Emir Çoriq nga LIDEM.
 
Edhe pse kushtetuta dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit e garantojnë mutikulturalizmin, profesori universitar, Lubomir Frçkoski, vlerëson se viteve të fundit shoqëria nuk udhëhiqet nga elita të përgjegjshme politike, të cilat përmes promovimit të multikulturalizmit do të ndikonin në zbritjen e papunësisë te të rinjtë.  
 
“Flas se ai projekt në Maqedoni është i përcaktuar me Kushtetutën e 91 dhe me ndryshimet e saj të dala nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Pra, nga njëra anë keni garanci për liri individuale,  flas për pjesën institucionale kushtetuese, pra nuk flas për praktikën qeveritare brenda këtyre 8 viteve. Së dyti, ka të drejta për grupacione, gjegjësisht të drejta kulturore, të cilat janë shtesë në të drejtat individuale dhe këtu krijohet një kombinim i shëndoshë”- tha eksperti, Lubomir Frçkovski.
 
Frçkoski, vlerëson se edhe përkundër shumë projekteve që ndërmerren për të promovuar multikuturalizmin, akoma punohet në kundërshtim me rrënjët e demokracisë së Maqedonisë dhe kjo bllokon multikulturalizmin.
 
SANIJE KASAMI