Maqedoni
Mesazhi i Papës për Krishtlindjet: Udhëheqësit të sigurojnë vaksina për të gjithë
25.12.2020 15:22
Lutja tradicionale e Papës për krishtlindje “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën) këtë vit për herë të parë nuk u mbajtë nga ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit....

Lutja tradicionale e Papës për krishtlindje “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën) këtë vit për herë të parë nuk u mbajtë nga ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit, por përmes një video online nga një foltore brenda Vatikanit. Kryemesazhi i sivjetmë ishte unifikimi i njerëzimit në luftën ndaj virusit covid 19. Në urimin e tij Papa Françesku u bëri thirrje liderëve botërorë që të sigurojnë qasje të pakufizuar për të gjithë, në vaksinat kundër koronavirusit. Ai deklaroi se përballë pandemisë që nuk ka kufij, qeveritë e vendeve duhet të punojnë që të ketë një bashkëpunim ndërkombëtar për vaksinën që të gjithë ta kenë atë.
“Biri i Zotit të ripërtërijë te udhëheqësit politikë dhe të qeverive një frymë bashkëpunimi ndërkombëtar, duke filluar me kujdesin shëndetësor, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në vaksinat dhe trajtim. Përballë një sfide që nuk njeh kufij, ne nuk mund të ngremë mure. Të gjithë jemi në të njëjtën varkë.”, tha Papa Françesku
Mes tjerash, Papa përkujtoi edhe njerëzit që vuajnë nga dhuna dhe terrori në zonat ushtarake dhe të krizës. Në të njëjtën kohë, Papa u lut për paqe dhe një armëpushim në shumë vende të botës dhe bëri thirrje për një dialog serioz midis atyre që ishin të përfshirë. Në veçanti, Papa kujtoi konfliktet dhe luftërat në Siri, Irak dhe Jemen, kurse bëri thirrje edhe për përpjekje për paqe në Libi dhe midis izraelitëve dhe palestinezëve. "Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë," tha kreu 84-vjeçar i Kishës Katolike.
ERSAN PAJAZITI
