Maqedoni
Këshilli Gjyqësor shkarkon gjyqtaren Vesna Kiçeec, nga rasti i Dimitar Matiloski
25.12.2020 15:30
Këshilli gjyqësor ka shkarkuar gjyqtaren Vesna Kiçeec nga rasti i Dimitar Matiloskit...

Këshilli gjyqësor ka shkarkuar gjyqtaren Vesna Kiçeec nga rasti i Dimitar Matiloskit, djalit nga Ohri që u vra në prag të vitit të ri në 2016, nga turisti serb Bojan Ugrenoviq. Këshilli ka vendosur se bëhet fjalë për një punë joprofesionale dhe të paskrupullt nga ana e gjyqtares dhe kjo është arsyeja pse ajo e ka të ndaluar të gjykojë që nga dita e djeshme. Në rastin specifik me Matiloskin, vonesa e procedurës i dha mundësi të dyshuarit kryesor të mbrohej nga liria dhe ai u arratis nga vendi.
“Është marrë vendimi me të cilin është shkarkuar gjyqtarja nga kryerja e funksionit gjyqësor për shkak të joprofesionalitetit dhe pandërgjegjshmërisë, si dhe largimin e përkohshëm të gjyqtares nga kryerja e funksionit deri në përfundimin total të procedurës.”, informojnë nga këshilli.
Familjarët e viktimës thonë se i gjithë procesi gjyqësor ka pasur shumë lëshime.
“Çështja e vëllait tim ishte shumë e gjatë. Sidoqoftë, ne si familje jemi mirënjohës që me vendimin e Gjykatës së Lartë, u rivendos një rreze besimi në gjyqësor, por neve si familje, asgjë nuk mund të na kompensojë për dhimbjen e humbjes, sidomos edhe sepse vrasësi është i lirë dhe asnjë urdhër arresti ndërkombëtar nuk është lëshuar deri më tani.". tha Cvetanka Matiloska, motra e viktimës.
Gjyqtarja Kiçec përmes një mesazhi telefonik tha se nuk ka marrë ende vendimin për shkarkimin, për të është njoftuar nga mediat. Ajo ka paraqitur një apel, duke thënë se nuk ishte fajtore për rezultatin e çështjes.
“Vendimi im i parë për Ugrenovin, u bë vetëm një muaj e gjysmë pas marrjes së çështjes, pasi u shpall fajtor, ai u dënua me 16 vjet. Për Apelin e Manastirit, dënimi ishte i lartë, ata e shfuqizuan atë pavarësisht nga fakti se kishin mbetur më pak se 4 muaj deri në periudhën maksimale të paraburgimit. Kam marrë përsëri të njëjtin vendim, Apeli e uli atë në 8 vjet. Supremja e ndryshoi dhe e dënoi përsëri me 16 vjet. Unë me të vërtetë nuk e di se ku është faji im.", tha Vesna Kiçec, gjyqtare.
Firma ligjore Mujoski, të cilët janë përfaqësues të palës së dëmtuar, thanë se nuk kanë asnjë vërejtje për gjykimin e Kiçec, të gjithë fajin e rastit Matiloski e drejtojnë tek Apeli i Manastirit, që dy herë ja uli dënimin të dënuarit Ugrenoviq. 26 vjeçari Dimitar Matiloski, u rrah për vdekje në prag të Vitit të Ri në Ohër pesë vjet më parë. Vrasësi, turisti serb Ugrenoviq nga Kraljevo, u lirua nga paraburgimi në korrik të vitit 2017 dhe që prej asaj kohe nuk është gjendur asnjë gjurmë prej tij.
ILMIJE ZHAKU
