Maqedoni

Kuvend, VMRO: Blokimet, përpjekje për të penguar krimin

25.12.2020 15:59

Kuvendi republikan vazhdon punën me vështirësi për shkak të shumicës së brishtë...

Kuvendi republikan vazhdon punën me vështirësi për shkak të shumicës së brishtë, situatës me epideminë dhe për shkak të bllokimeve të opozitës. Koalicioni i kryesuar nga VMRO DPMNE vazhdon të bllokojë ndryshimin e Rregullores për punë të Kuvendit, me të cilin pretendohet të mënjanohen vështirësitë që krijoi epidemia por edhe disa projektligje të tjera, siç është pr/ligji për zgjidhjen e kontestit me Makpetrollin për gazifikimin. Sipas deputetit Petar Risteski, pengesat që vendos opozita në Kuvend kanë për qëllim që të pengojnë krimin e mundshëm të pushtetit.
 
“Kjo është përpjekje për të penguar një krim të mundshëm, që pushteti po përpiqet ta bëj për t’i paguar 33 milionë euro, me vënien e procedurës në parlament si ligj për zgjidhjen e kontestit mes Qeverisë dhe Makpetrollit. Deputetët e VMRO DPMNE-së as kanë arsye dhe as që duan të bëhen pjesëmarrës në një krim të tillë. Ndërsa për çështjet tjera duhet të pyesni koordinatorin e grupit parlamentar.”, tha Petar Risteski nga VMRO DPMNE.
 
LSDM: Opozita deshi të bllokojë edhe buxhetin 2021
 
Ndërkaq, shumica parlamentare akuzoi opozitën në përgjithësi për obstruksione dhe bllokime të vazhdueshme, madje edhe në miratimin e buxhetit për vitin 2021 dhe ligje të tjera me rëndësi.        
 
“VMRO DPMNE, por edhe Aleanca, Alternativa dhe E Majta ishin të gatshëm që ta lënë vendin me financim të përkohëshëm. Kjo do të thotë se opozita deshte që të pengojë pagësën e subvencioneve për bujqit, pagesën e shtesave fëmijërore dhe shtesave për arsimim, rritjen e pagave të mjekëve, pagesën e shtesave për punëtorët e kompanive të falimentuara, duke e ditur se këto pagesa nuk mund të bëheshin financim të përkohshëm.”, tha Jovan Mitreski nga LSDM.
 
Pavarësisht rrethanave dhe qasjes së opozitës, shumica parlamentare konsideron se do të mundet të miratojë ligjet e nevojshme për zbatimin e reformave.
 
SHPËTIM NUREDINI