Ekonomi

Panairi i biznesit në Ohër

14.11.2014 17:47

Rreth 70 kompani nga rajoni jugperëndimor i Maqedonisë, ishin pjesëmarrëse në panairin e katërt të biznesit, i cili u mbajt në Ohër...

Takimet e drejtpërdrejta mes punëdhënësve dhe personave të papunë do të ndikojnë dukshëm në rritjen e numrit të punësimeve në vend, thonë përfaqësues nga Agjencia e Punësimit.
 
Këto masa janë tejet efikase, sepse mundësojnë një lloj ndërmjetësimi të Agjencisë së Punësimit mes punëdhënësit dhe  personave të papunë dhe e njëjta do të nxisë që brenda disa ditëve të realizohen deri në 100 punësime në rajon.  
 
“Sot këtu kemi 70 kompani nga rajoni i Ohrit dhe më gjerë, respektivisht nga rajoni i Maqedonisë jugperëndimore, të cilët i dolën në ndihmë të drejtpërdrejtë Agjencisë së Punësimit. Ata i hapën dyert e tyre dhe treguan se çfarë vende të punës kanë në kompanitë e tyre. Shpresoj që kjo ditë është e mbarë”- deklaroi drejtori i Agjencisë së Punësimit, Vlladko Popovski.
 
Rajoni i Ohrit dhe Strugës numëron rreth 4000 persona të cilët  janë të regjistruar si të papunë  dhe të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punësim, prandaj pushteti lokal do të japë dhe kontributin e vet në riedukimin dhe rikualifikimin, me ç’rast do të sigurohen profilet e nevojshme për qendrat e prodhimtarisë.
 
Bartës të projektit në fjalë është Ministria e Pushtetit Lokal.
 
Në rajonet planore, gjatë periudhës së kaluar Ministria e Pushtetit Lokal ka shpërndarë gjithsej rreth 470 milionë denarë, me të cilat janë financuar 230 projekte me mjetet e programit IPA të BE-së, për bashkëpunim ndërkufitar, me gjithsej 16 milionë euro janë financuar 150 projekte. 
 
MERITA GASHI