Maqedoni
Nikollovski nxënësve maqedonas: mësojeni shqipen!
14.11.2014 17:54
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, fton nxënësit maqedonas që ta mësojnë gjuhën shqipe...

Sipas tij, mosnjohja e gjuhës shqipe dhe gjuhëve të fqinjëve nga ana e maqedonasve paraqet hendekep në tregun e punës për vetë maqedonasit.
Sipas tij, për dallim nga maqedonasit, shqiptarët janë në avantazh, pasi përveç gjuhës shqipe, e njohin edhe gjuhën maqedonase dhe gjuhë të huaja.
“Regjistroni shqipen, greqishten ose turqishten! Do t’u duhet në jetë. Më mirë të mësoni shqip, greqisht ose turqisht, sesa të shpërnguleni nga vendi dhe do të duhet të mësoni suedisht, ose do të duhet të mësoni gjuhën norvegjeze, ose do të duhet të mësoni atë daneze dhe të jeni mijëra kilometra larg nga shtëpia”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Veç njohjes së gjuhës shqipe, Nikollovski vlerëson se nxënësit nga bashkësitë e ndryshme etnike duhet të njihen dhe të respektohen mes veti. Mirëpo, nxënësit kërkojnë që politikanët të jenë shembull për bashkëjetesë dhe jo të japin deklarata që nuk i respektojnë as vetë.
“Na thonë se duhet të bëjmë shumë, por asnjë nga të rriturit nuk përpiqet ta bëjë hapin e parë dhe të jetë shembull për ne”- u shpreh një nxënëse.
“Pajtohem se të rriturit, posaçërisht politikanët, duhet të përdorin një gjuhë që bashkon dhe jo që përçan, por mos e nënçmoni rolin e juaj dhe forcën tuaj ndaj gjithë kësaj”- tha deputetja e BDI-së, Nora Aliti.
Përfshirja e të rinjve në zhvillimet shoqërore dhe bashkëjetesa, ishin temat që i diskutuan me nxënësit e shkollave të mesme dy deputetët e rinj të Kuvendit Republikan, Nora Aliti dhe Aleksandër Nikollovski, të cilët rrëfyen përvojën e tyre në zhvillimet shoqërore që në moshë të re.
SHPËTIM NUREDINI
