Maqedoni

Jankullovska: këtë vit 30% më pak aksidente

14.11.2014 17:57

Masat rigoroze të vendosura nga MPB-ja për mosrespektimin e rregullave në komunikacion dhe fushatat e ndryshme...

Masat rigoroze të vendosura nga MPB-ja për mosrespektimin e rregullave në komunikacion dhe fushatat e ndryshme të ministrisë për rritjen e vetëdijes së vozitësve në rrugë, kanë dhënë rezultatet e para.
 
Sipas statistikave të bëra nga MPB-ja, në dhjetë muajt e fundit është ulur për 30 % numri i aksidenteve fatale në komunikacion, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku numri i aksidenteve me humbjen e jetës ka arritur në 164 persona. 
 
“MPB-ja, gjatë këtij viti i forcoi aksionet dhe kontrollet për zbatim të rregullave në komunikacion dhe nëse iu referohemi statistikave krahasuar me vitin e kaluar, shohim se kemi numër më të vogël të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës. Prezenca e policisë në të gjitha akset rrugore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë maksimalisht rregullat e komunikacionit, në mënyrë që të ruajmë edhe veten edhe të tjerët”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska.
 
Këto të dhënë i shpalosi sot ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, me rastin e “Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Komunikacionin Rrugor”, të organizuar nga Këshilli Republikan për Siguri në Rrugë dhe Komunikacion.
 
Në vijë të njëjtë me ministren ishte edhe kryetari i Këshillit për Siguri në Komunikacion, Nikolla Angellovski.
 
“Përdorimi i smartfonave, biseda në telefon, vozitja nën ndikim të alkoolit, përdorimi i substancave narkotike dhe mospërdorimi i rripit të sigurimit rrisin mundësinë për aksidente, të cilat mund të sjellin humbjen e jetës së dikujt, por edhe të vetë vozitësit. Andaj porosia është e qartë”- tha kryetari i KRSQRR-së, NIkolla Angellovski.
 
Ministria e Brendshme njëherit arsyetoi miratimin e Ligjit të ri për Siguri në Komunikacion, i cili, siç tha ajo, parasheh vendosjen e standardeve më të larta në komunikacion dhe rregullimin e disa paqartësive për pjesëmarrësit në komunikacion.
 
VALBON BEXHETI