Botë
Qeveria e Kosovës: Vaksina anti kovid në veri nuk hyri legalisht
26.12.2020 19:46
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare...

Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër COVID-19, të cilat të premten u janë dhënë qytetarëve serb në pjesën veriore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën Fajzer/BioNTek.
“Nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barna”, thuhet në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Por presidenti serb Vuçiq tha se vaksinimi ka filluar në Leposaviq dhe do të vazhdojë edhe në Mitrovicë. Vaksina e Pfizer dhe Biontek ka arritur në Serbi më 22 dhjetor, derisa autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje ta sigurojnë të njejtën.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka thënë se po angazhohen që sa më shpejt ta sigurojnë vaksinën, pa njoftuar për ndonjë afat konkret se kur vaksina anti kovid do të arrijë në Kosovë.
Ndërkohë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në reagimin e tyre kanë vlerësuar se vaksionimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë përmbrenda territorit të Kosovës përbën shkelje të sovranitetit dhe kërcënim për sigurinë e vendit.
SANIJE DURAKU
