Maqedoni
Qeveria hedh poshtë akuzat e ASh-së, Hoxha: Ecim përpara drejt anëtarësimit në BE
27.12.2020 15:36
Qeveria hodhi poshtë pretendimet e Aleancës për Shqiptarët, e cila një ditë më parë e akuzoi...

Qeveria hodhi poshtë pretendimet e Aleancës për Shqiptarët, e cila një ditë më parë e akuzoi për devijim në rrugën drejt BE-së, përkatësisht mosaplikimin e sanksioneve që ka vënë BE ndaj Rusisë.
Zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha, pa u futur në thelbin e akuzave të opozitës, tha se vendi mbetet i përkushtuar në procesin e integrimit europian dhe zbatimin e reformave.
“Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Siç e dini Republika e Maqedonisë së Veriut është vend anëtar i NATO-s ndërsa ecim përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vazhdojmë me zbatimin e gjithë reformave të nevojshme në vendin tonë me qëllim që një ditë të jemi pjesë e familjës evropinae”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Një ditëmë parë sekretari i përgjithshëm i aleancës Arben Taravari akuzoi qeverinë Zaev dhe ministrin e jashtëm Osmani se përkundër deklarimeve pro integrimit europain kanë refuzuar sanksionet ndaj Rusisë, që ka vënë Bashkimi Evropian.
Sipas opozitës shqiptare Maqedonia e Veriut si vend kandidat për anëtarësim në BE duhet të rreshtohet pas vendimeve të Këshillit të BE-së, dhe të harmonizojë menjëherë politikën e jashtme të vendit me atë të BE-së, për të gjitha çështjet ku kërkohet një gjë e tillë.
SHPËTIM NUREDINI
