Maqedoni
Aplikohet parkimi zonal në Gostivar
14.11.2014 18:02
Kaosi në komunikacion nuk do të jetë më problem në të ardhmen në Komunën e Gostivarit...

Kaosi në komunikacion nuk do të jetë më problem në të ardhmen në Komunën e Gostivarit, sepse ky problem, që është premtuar, do zgjidhet së shpejti. NP “Komunalec” dhe Shoqëria Tregtare “Duna”, nënshkruan marrëveshje për partneritet publiko-privat për aplikim, mirëmbajtje, ekonomizim me sistemin për parkim zonal në qytetin e Gostivarit.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se aplikimi i parkimit zonal ka qenë një kërkesë e kahershme e të gjithë qytetarëve.
“Qyteti i Gostivarit është qyteti i parë në rajonin e Pollogut i cili aplikon parkimin zonal dhe me këtë hap zgjidhja e çështjes së parkimit në Gostivar do të jetë e njëjtë me atë në kryeqytetin e Maqedonisë dhe qytetet e vendeve evropiane. Kaosi në komunikacion do të eliminohet një herë e përgjithmonë dhe nuk do të ndodhë që veturat t’i zënë trotuaret dhe sipërfaqet e tjera, që janë paraparë për lëvizje të këmbësorëve, fëmijëve, pleqve dhe nënave tona”- deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Sipas Bejtës,Ndërmarrjes Publike “Komunalec” i jepet e drejta e profitit prej 62%, ndërsa partnerit privat 38 % dhe se çmimet e shërbimeve janë të rregulluara sipas zonave.
Drejtori i NP-së “Komunalec”, Memedali Xhaferi, theksoi se partneri privat do të ketë obligim ta vendosë dhe mirëmbajë sistemin informatik për vendosjen e parkimit zonal.
“Çmimet e shërbimeve do të jenë në përputhje me çmimoren e miratuar nga Këshilli i Komunës, ndërsa pagesa do të bëhet nga ana e punëtorëve me para të gatshme, për çka do të lëshohen llogari fiskale, ose nëpërmjet SMS-ve nga celulari, siç praktikohet edhe në kryeqytet”- tha drejtori i NP-së “Komunalec”, Memedali Xhaferi.
Xhaferi tha se punët përgatitore do të fillojnë menjëherë, ndërsa pritet që brenda një muaji të fillojë edhe funksionimi.
Nga ana tjetër, drejtori i Shoqërisë Tregtare “Duna”, Koce Petrov, premtoi shërbime cilësore.
FARIJE DAUTI-BAKIU
