Maqedoni

Konferencë mbi tolerancën

14.11.2014 18:10

Tolerant mund të jetë vetëm ai i cili është i lirë, ndërsa e vetmja gjë që nuk mund të tolerohet në shoqëritë demokratike është jotoleranca...

Ky ishte konstatimi i përbashkët i pjesëmarrësve në konferencën “Përgjigja institucionale ndaj jotolerancës, diskriminimit dhe krimit që për burim ka urrejtjen”, e cila u zhvillua në Akademinë e Shkencave, në kuadër të 16 nëntorit, “Ditës ndërkombëtare të tolerancës”.
 
“Duke punuar së bashku, mund të krijojmë mekanizma për ta luftuar diskriminimin. Kuptohet se institucionet kanë një rol thelbësor, praktikisht ata duhet të ndërmarrin masa në mënyrë që ta identifikojnë dhe t’i ju japin përgjigje çdo lloj forme të jotolerancës”- deklaroi shefi i misionit të OSBE-së, Ralf Brett.
 
“Mostoleranca e prodhon diskriminimin dhe urrejtjen. Njeriu dhe vota janë të dobishme vetëm atëherë kur jemi në gjendje të tolerojmë për mendime dhe vështrime të ndryshme dhe gjithsesi nëse dimë të mbrojmë pakicën nga shumica. Dallimi nuk duhet marrë si kanosje, por si mundësi që të tolerohet ai që është më i ndryshëm se ne. Nëse nuk mund ta bëjmë këtë, kjo do të thotë se ne po e mbështesim diskriminimin dhe urrejtjen”- tha ambasadori i Francës, Lorens Oer.
 
Në Komisionin për Mbrojtje Kundër Diskriminimit vërejnë një ngritje të vetëdijes së qytetarëve kundër këtij fenomeni. 
 
“Në qoftë se marrim për bazë statistikat e punës dhe aktivitetet e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, për tre vitet e funksionimit të tij mund të konstatojmë se ka rritje të numrit të parashtresave të deponuara nga qytetarët për shkelje të parimit të barazisë nga baza të ndryshme, megjithatë dominon baza etnike, ndërsa për fushën e marrëdhënies së punës të jurisprudencës dhe ngjashëm, po ashtu janë fusha që qytetarët më shumë ankohen për shkeljen e këtij parimi”- u shpreh anëtari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Agim Nuhiu.
 
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Vllado Kambovski, tha se së bashku me OSBE-në, shoqërinë civile dhe institucionet e sistemit po përpiqen që të kontribuojnë në këtë drejtim.
 
Konferenca kushtuar jotolerancës dhe diskriminimit si krim, e cila për burim ka urrejtjen, tha ai, pritet që të japë një impuls për të përforcuar praktikat efikase kundër kësaj dukurie.
 
NAIM RAMADANI