Maqedoni
Jankullovska: ekzistojnë dallime për aksionet e DAP-it dhe policisë
14.11.2014 18:12
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka pranuar se ekzistojnë dallime në pikëpamjet e ministrave...

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka pranuar se ekzistojnë dallime në pikëpamjet e ministrave sa i përket aksionit të ditëve të fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe policisë, por ajo thotë se debati në qeveri për këtë është konstruktiv dhe përcaktimi i të gjithë partnerëve të koalicionit është respektimi i ligjit.
“Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka çfarë të japë llogari për kryerjen e obligimeve ligjore. Ne edhe deri tani të gjitha mjetet që i kemi të disponueshme me ligj, do t’i shfrytëzojmë në funksion të respektimit të ligjit në çdo milimetër të territorit të Maqedonisë. Në qeveri kemi debat konstruktiv, bisedojmë me të gjithë ministrat, të cilët kanë kompetenca për problematikën e caktuar. Me disa ministra kemi pikëpamje të ndryshme, por përcaktimi i qartë, i fuqishëm dhe pamëdyshje i qeverisë dhe i gjithë partnerëve që participojnë në qeveri, është respektimi i ligjeve, kryerja e kontrolleve, me qëllim të përmirësimit të disiplinës fiskale, në funksion të implementimit të ligjeve nga sferat e tjera”- deklaroi Gordana Jankullovska nga MPB.
Jankullovska thotë se kjo ministri do të vazhdojë të punojë për zbatimin me përpikshmëri të ligjit në tërë territorin e vendit.
Deklarata e ministres së Brendshme ka të bëjë me kundërshtimin që këtij aksioni i bëri ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili mënyrën e realizimit të aksionit në disa vendbanime shqiptare e ngriti edhe në qeveri.
GYLTENE SINANI
