Maqedoni
Pagesa prej 6 mijë denarëve, bankat i përgjigjen qeverisë, kërkojnë afat të ri
28.12.2020 14:47
Ndihmën shtetërore prej 6 mijë denarëve e kanë marrë 90 për qind e qytetarëve të cilët kanë qenë në listë...

Ndihmën shtetërore prej 6 mijë denarëve e kanë marrë 90 për qind e qytetarëve të cilët kanë qenë në listë, ndërsa 10 për qind e tyre që nuk kanë mundur për shkak të llogarive të bllokuara ose të dhëna jo të përdirësuara do duhet të presin ndryshimet ligjore që duhet të kalojnë në Kuvend. Një ditë pas kërkesës së Qeverisë ndaj bankave që të bëjnë një tolerancë gjatë ditëve në vijim, derisa të përfundojë pagesa e plotë nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë, kërkuan ndryshimin e Ligjit për Mbështetje Financiare, me të cilin do të shtyheshin afatet për pagesën e mbështetjes financiare, në mënyrë që të kryenin edhe pjesën e mbetur të qytetarëve.
“Në këtë periudhë të shkurtër, me sukses u janë paguar mbi 90 për qind të përfituesve të ndihmës financiare. Shoqata e Bankave të Maqedonisë informon publikun se anëtarët tanë – bankat, si edhe deri tani, janë të gatshme me të gjitha burimet e tyre të përmbushin projektet me interes publik, veçanërisht ato të destinuara për kategoritë e qytetarëve përfitues të ndihmës sociale. Në këtë mënyrë, aktivitetet duhet të jenë gjithmonë brenda rregulloreve ligjore. Në atë kuptim, pas skadimit të afateve të dhëna ligjërisht, për të realizuar pagesën e të gjithë qytetarëve të cilëve nuk u është paguar mbështetja financiare në afatin e paraprak ligjor, është e nevojshme të bëhen ndryshime në Ligjin për mbështetje financiare në mënyrë që afatet ekzistuese të zëvendësohen me afate të reja më të gjata”, thuhet në kumtesën e Shoqatës së Bankave të Maqedonisë.
Shumë qytetarë janë ankuar se nuk kanë mundur t’i tërheqin paratë për shkak të xhirollogarive të bllokuara nga përmbaruesit, derisa një pjesë e tyre nuk kanë arritur t’i azhurnojnë të dhënat e tyre, por nga Shoqata e Bankave theksojnë se për këtë ndihmë bankat i kanë vënë në dispozicion në maksimum burimet e tyre dhe se deri në fund të orarit të punës më 25 dhjetor i kanë kryer shpërndarjet e fondeve në llogaritë e qytetarëve. Nga kjo masë e Qeverisë në kuadër të pakos anti-krizë përfitojnë 283 mijë qytetarë edhe atë nga 6000 denarë. Këtu përfshihen qytetarët me të hyra të vogla, qytetarët me pensione të ulëta, përdoruesit e ndihmës sociale, të rinjtë të moshës prej 16-29 vjet, artistët dhe personat të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e kulturës, punonjësit e filmit artistët e estradës.
ZEKIRJA MEXHITI
