Maqedoni
Konkurs për përbërjen e re të KShZ-së, ASh-Alternativa kërkon të ketë anëtarin e saj
28.12.2020 15:15
Koordinatorët e grupeve parlamentare në pushtet, të LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Besa, si dhe koordinatori i opozitës shqiptare...

Koordinatorët e grupeve parlamentare në pushtet, të LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Besa, si dhe koordinatori i opozitës shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë parashtruar propozim-vendim në Kuvend për shpalljen e konkursit për kryetar, nënkryetar dhe pesë anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, sepse mandati i përbërjes aktuale skadon pas 1 muaji.
“Duke pasur parasysh rregulloren me fuqi ligjore për çështjet lidhur me procesin zgjedhor, mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Shtetëror për Zgjedhje është para skadimit. Për këto arsye, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të shpallë konkurs për kryetar të ri, nënkryetar të ri dhe pesë anëtarë të Komisionit për çka propozojmë Kuvendi të sjellë këtë vendim.”,- thuhet në arsyetimin e propozuesve.
Nga BDI thonë që presin formimin e një KShZ-je sipas rregullave në Kodin Zgjedhor.
“Presim që të aplikojnë persona kredibil të cilët do të kontribuojnë në kredibilitetin e këtij komisioni shumë të rëndësishëm që është përgjegjëse për realizimin e zgjedhjeve.”,- tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
Nga ASh-Alternativa thonë se në bazë të rezultateve të fundit nga zgjedhjet parlamentare këtij koalicioni i takon një anëtar në KShZ.
“Neve si koalicion në bazë të rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e fundit parlamentare na takon një komisioner në kuadër të KShZ-së, me çka do të mund të japim edhe ne fuqinë tonë politike, apo ndikimin politik në mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore. Çdo komision tjetër që dallon nga ai i deritanishmi është më i mirë. Për shkak se komisioni i deritanishëm ishte joprofesional, jodemokratik dhe ishte në dëm të subjekteve politike të cilat nuk janë pjesë e qeverisë ose pjesë e një ngjyre politike që ishin atje. Prandaj konsiderojmë se një komision shtetëror zgjedhor që është i paanshëm, demokratik dhe profesional i duhet një procesi të mirëfilltë zgjedhor.”,- u shpreh deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.
Konkursi për zgjedhjen e përbërjes së re të KShZ-së do të realizohet sipas rregullave në Kodin Zgjedhor. Për anëtarë të KSHZ-së nevojiten dy të tretat e shumicës në Parlament.
SANIJE DURAKU
