Maqedoni
Kovid-19, ulet numri i të prekurve dhe të hospitalizuarve
28.12.2020 15:42
Ditëve të fundit ka shënuar rënie numri i të infektuarve dhe atyre në trajtim spitalor nga virusi Korona në vend....
Ditëve të fundit ka shënuar rënie numri i të infektuarve dhe atyre në trajtim spitalor nga virusi Korona në vend. Por, numri i atyre që humbin jetë në bazë ditore vazhdon të jetë i lartë. Në qendrat Kovid në spitalet në të gjithë vendin po mjekohen 984 Kovid pacientë, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore, sipas të cilëve ka edhe 320 shtretër të lirë.
Autoritetet shëndetësore në vend kanë paralajmëruar se vaksinat e para anti-Kovid në vend do të arrijnë në muajt e parë të vitit 2021, por nga VMRO-DPMNE pyesin nëse ministri i shëndetësisë Filipçe dhe kryeministri Zaev kanë realizuar takime me prodhuesit e vaksinave? Derisa Evropa po vaksinohet, në Maqedoninë e Veriut vazhdon të flitet për të vdekur, të infektuar të rinj dhe teste, kanë deklaruar nga VMRO-DPMNE, duke akuzuar pushtetin për keq-menaxhim të pandemisë dhe mossigurim të vaksinës anti Kovid.
“Kur do të nis vaksinimi kundër virusit Korona, cili është plani, me çfarë kualiteti do të jenë vaksinat dhe a do të kenë mundësi për zgjedhje të vaksinave nga prodhues të ndryshëm, e jo Filipçe të na bindë se do të kemi vaksina për 400 mijë qytetarë nga KOVAKS mekanizmi, pa na sqaruar qartë kur do të arrijnë dhe cili është plani i vaksinimit?”,- tha Marija Andonovska nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, për vaksinimin që e planifikojnë Filipçe dhe Zaev, qytetarët nuk dinë pothuajse asnjë dhe janë në pritje të informatave.
GYLTENE SINANI
