Maqedoni

Spitali i Strugës: Ka rënie të numrit të pacientëve, situata nën kontroll, montohet edhe spitali modular

28.12.2020 16:52

Javëve të fundit, si në të gjithë vendin, edhe në Strugë, është vërejtur rënie e numrit të të infektuarve me Covid-19....

Javëve të fundit, si në të gjithë vendin, edhe në Strugë, është vërejtur rënie e numrit të të infektuarve me Covid-19. Në spitalin e Strugës momentalisht ka 45 pacientë të shtruar, në dy qendra të spitalit që janë adaptuar si covid qendra, ku 70 për qind e atyre pacientëve janë në ndihmë të oksigjenit. Nga spitali thonë se ka ende shtretër të lirë dhe situata është nën kontroll, por ka shumë qytetarët nuk paraqiten dhe mjekohen në kushte shtëpiake apo forma të tjera, ndërsa kur ju përkeqësohet gjendja, kërkojnë ndihmë mjekësore në spital ku edhe hospitalizohen. 
 
“Ditëve të fundit shohim një fluks në rënie. Edhe pse kemi goxha numër të madh të cilët nuk paraqiten në spital, mjekohen në forma dhe vende të ndryshme dhe problemi kryesor qëndron tek ato pacientë që pastaj vijnë në gjendje më të rënduar në spitali tonë, ku ne jemi detyruar ti hospitalizojmë.”,- tha drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.
 
Struga ishte ndër qytetet që ju dha dritë jeshile për të krijuar spital modular, ku gjatë fundjavës së kaluar ka përfunduar edhe montimi, por do të filluar punë do të marrë edhe 2 deri në 3 javë kohë. Nga spitali i Strugës thonë se spitali modular do të lehtësojë punën e personelit, por do të kenë nevojë për më tepër personel dhe do të kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që të mundësohet stafi i nevojshëm. 
 
“Besoj që do kemi nevojë për personel shtesë, jemi duke bërë matematikat me personelin ekzistues që kemi dhe do të shohim si do të shkojnë punët, por mendoj që personel kemi, me ndonjë plotësim të vogël, që ne jemi në kërkim të këtyre mundësive nga ana e ministrisë, për të plotësuar pjesëve të mbetura në lidhje me personelin.”,- theksoi drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.
 
Nga spitali thonë se ardhja e mërgimtarëve nuk ka ndikuar në situatën me Covid-19 në Strugë, megjithatë ka pas mërgimtarë që janë testuar dhe kanë dalë pozitiv, si dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
 
Në statistikat e fundit, në Strugë kishte 9 raste të reja me Covid-19, ndërsa raste aktive ka 350. Autoritetet apelojnë qytetarët që të kenë kujdes të madh edhe gjatë festave të fundvitit, me qëllim që situata të mbahet nën kontroll.